Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Krasniqi: Ditë e madhe për demokracinë tonë

​Krasniqi: Ditë e madhe për demokracinë tonë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.

Kreu i PDK-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, teksa votoi në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, tha se dita e sotme është e rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës.

Ai ftoi qytetarët të dalin të votojnë.

“Sot është një ditë e mirë, një ditë e madhe, një ditë tepër e rëndësishme për vendin tonë, për qytetarët tanë për demokracinë e Kosovës, me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë për mundësinë dhe potencialin për të pasur një jetë më të dinjitetshme për të gjithë. Besoj se kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote dhe përmes ushtrimit të kësaj të drejte ta japin verdiktin se nga dëshirojnë ta drejtojnë vendin në katër vitet e ardhshme”, theksoi Krasniqi.

Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian./ kp