Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, deklaron se emisari special i ShBA-së për misione të veçanta, Richard Grenell, po punon për largimin e kryeministrit Albin Kurti dhe LVV-së nga pushteti.
Sipas Serwerit, Grenell nuk është i interesuar të përmirësojë marrëdhëniet me qeverinë aktuale të Kosovës.
Profesori Serwer thotë se “në një qeveri normale amerikane”, Grenell nuk do lejohej t’i afrohej politikave të Ballkanit, për shkak të konflikt interesit.
“Grenell ka të drejtë për marrëdhëniet ShBA-Kosovë dhe sigurisht për armiqësinë e tij ndaj kryeministrit. Por sigurisht që edhe Grenell është pjesë e problemit. Ai u përpoq të ndante Kosovën në administratën e parë të Trump dhe ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së parë të Kurtit. Tani ai e ka kaluar kohën e tij jashtë qeverisë duke punuar me Jared Kushner në projekte në Serbi dhe Shqipëri. Në një qeveri normale amerikane, ai nuk do të lejohej askund afër Ballkanit, për shkak të konfliktit të interesit. Kjo administratë nuk e di se çfarë është konflikti i interesit”, deklaroi Serwer.
Ndërkohë, Serwer lidhur me deklaratat e Grenellit se marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk kanë qenë kurrë më të dobëta, thotë se janë qëndrime të Shtëpisë së Bardhë përderisa presidenti amerikan, Donald Trump nuk deklaron diçka ndryshe.
“Kuptimi im është se Grenell punon për Presidentin, kështu që derisa Presidenti të thotë diçka ndryshe Grenell flet për Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të forta se kurrë më parë.
Ndërkohë që Grenell e ka quajtur iluzionuese deklaratat e Kurtit derisa ka thënë se marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të dobëta.
Ai tha se e Kurtit është dënuar nga administrata e parë e Trumpit, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e ShBA-së, Anthony Blinken, etj.
“Iluzionues. Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të dobëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trumpit, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e ShBA-së, Anthony Blinken, etj”, ka shkruar Grenell në X.