Shkruan: Afrim Kasolli
Akademik Rexhep Qosja, sot paska vendosur t’u tregojë qytetarëve të Kosovës për rolin e moralit në politikë nëpërmjet frazave të Maximilien de Robespierr-it. Ai shkruan, duke e cituar revolucionarin francez, se pa “virtytin dhe drejtësinë si themel të qeverisjes së mire korrupsioni lëshon rrënjë dhe gërryen bazat e demokracisë”.
Shihet qartë se me anë të këtij postimi, Rexhep Qosja mëton t’i jap përkrahje partisë në pushtet si shembull të mësimeve të Robespierit në politikë. Sidomos, kur marrim parasysh edhe shkrimin e mëhershëm të tij, se është në përkrahje të kësaj Qeverie, sepse kjo e fundit “e ka miratuar ligjin për sekuestrimin e pronës, pasurisë së paligjshme, dhe të fituar me anë të korrupsionit” .
Mirëpo, si në këtë postim ashtu edhe në atë më herët, Rexhep Qosja vetëm sa po dëshmon se mbetet shembulli i mendësisë anti-demokratike dhe përfaqëson antitezën e shtetit kushtetues dhe ligjor. Sepse siç është e ditur historikisht, me Robesipierin është e lidhur “doktrina terrorit” në politikë.
Siç ka argumentuar Hegeli, në veprën (The Phenomenology of Spirit, në pjesën mbi “Lirinë Absolute dhe Terrorin”, ky zotërues “absolut” i frymës krijuese njerëzore, pohon se kodin themelor të kësaj logjike e përbëjnë aspiratat politike jakobine. Kushdo që nuk i përshtatet asaj konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim; si armiq të popullit, vullnetit të përgjithshëm dhe kërcënim për këtë të fundit; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm. Pra, të gjithë të tjerët definohen si vullnete private që duhen eliminuar dhe shtypur. Kjo edhe është arsyeja që asgjë s’mund t’i ikë furisë së saj destruktive dhe negativitetit të zbrazët. Sepse, siç pohon Hegeli, “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ e përjeton sensin e të qenët ekzistent”.
Ndërkohë, kjo skemë mentale do të shndërrohet në ushqim fanatik për shumë nga tërmetet e mëvonshme politike. Diktatura e proletariatit e përbën vetëm njërën prej tyre. Prandaj, nuk është e rastësishme që kudo që hovëzoi flakërima e kësaj zjarrmie revolucionare, ajo përfundoi në terror. Kurse sociologu i njohur Jean-Werner Muller, në traktatin e tij politik” Ç’është Populizmi? (What Is Populism?), pohon se edhe sot ekziston një përkitje e çuditshme ndërmjet populizmit dhe doktrinës politike jakobiniste. Ndërkaq William Galston konstaton se ngjashëm edhe populzimin e karakterizon revolta kundër pluralizmit (Anti-Pluralism: The Populist Threat to Liberal Democracy). Apo, siç thotë Jurgen Habermas, sa herë që populli shfaqet politikisht, ai s’mund të shfaqet ndryshe, pos si “kategori plurale”.
Kjo edhe ishte arsyeja që kur filloi procesi i detronizimit të ish-botës komuniste, pjesë së cilës ishte e Kosova, Ukshin Hoti e kishte artikuluar tezën e “demokracisë autentike” si model që i duhet Kosovës për ta përfaqësuar. E për sajimin e këtij nocioni tipik politik dhe pa ngarkesa ideologjike, ai ishte inspiruar dhe ndikuar nga libri i Aleksi de Tokëvil-it “Demokracia në Amerikë”./tvarbëria/