Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mbi 1600 vota nga Austria arrijnë në KQZ, Elezi: Pakot i nënshtrohen procesit të vlerësimit

Mbi 1600 vota nga Austria arrijnë në KQZ, Elezi: Pakot i nënshtrohen procesit të vlerësimit

1,640 pako kanë arritur sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pako të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, për Gazetën Express, i cili ka njoftuar edhe se pakot janë nga Austria.

‘‘Mund t’iu konfirmoj se gjatë pasdites së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 1,640 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria.

I njëjti ka shtuar se këto pako i nënshtrohen procesit të vlerësimit, proces i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

‘‘Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë’’, ka shtuar Elezi.

Po ashtu, ai ka deklaruar se votimi përmes postës është duke u zhvilluar ende.

‘‘Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlenë vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025’’, ka përfunduar ai.