Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KQZ tregon se në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm 20,324 shtetasit që janë regjisturar paraprakisht

KQZ tregon se në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm 20,324 shtetasit që janë regjisturar paraprakisht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se shtetasit e Kosovës që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike, nuk do të mund të votojnë në këto përfaqësi më 8 shkurt 2025.

Ky sqarim është dhënë nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se në Listën Votuese jashtë Kosovës janë vetëm emrat e shtetasve që janë regjistruar për të votuar në ndonjërën përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.

“Në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës të cilët kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi në momentin kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së regjistrimit 29 gusht – 26 dhjetor 2024. Pra, në Listën Votuese jashtë Kosovës, e cila dërgohet në përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që janë regjistruar për të votuar në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, njoftoi Elezi.

Sipas tij, në ditën e votimit më 8 shkurt, një votues i regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike mund të identifikohet përmes dokumentit identifikuar të lëshuar nga Republika e Kosovës.

“Sipas Rregullores së KQZ për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, me rastin e votimit në vendvotimin në përfaqësi diplomatike, votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, tha Elezi.