Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Sekiraqës, duke e dënuar me dënik unik me 4 vjet e gjysmë burgim pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim të lehtë trupor”. Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza.
I akuzuari Shkumbin Sekiraqa- djali Salih Sekiraqës (njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Premtim Gashit më 1 shtator në Aktash në Prishtinë), akuzohej për tentim vrasjen e Pajtim Gashit, (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).
Aktgjykimim ndaj Sekiraqës dhe Halitit u shpall të mërkurën nga gjykatësi Naser Foniqi.
Sipas aktgjykimit, Sekiraqa u dënua me 4 vjet burgim për “Lëndim të lehtë trupor” vepër kjo që iu rikualifikua nga “Vrasja në tentativë”. Kurse, me 1 vjet burgim u dënua për armëmbajtje pa leje.
Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 4 vjet e 6 muaj burgim.
Por, Sekiraqa u lirua nga akuza për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, pasi nuk u provua se ka kryer këtë vepër penale.
Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale”.
I akuzuari Sekiraqa obligohet të paguajë paushallin gjyqësor prej 200 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.
Të akuzuarit Sekiraqa i vazhdohet paraburgimi deri më plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të dyshuarit për vrasjen në Aktash, Salih Sekiraqa), i cili akuzohet për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi)./BetimipërDrejtësi