Shkruan: Afrim Kasolli
Sulmi diplomatik i Richard Grenellit, si i emëruari për misione të posaçme i Presidentit Donald Trump, ndaj kryeministrit Kurti, gjatë ditës së djeshme nuk është as i pari, por më gjasë as nuk do të jetë i fundit. Hiç më larg se para pak ditësh, i njëjti e kishte atakuar edhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, pasi ky e fundit, e pat akuzuar administratën Obama dhe Biden, se nuk ka qenë shumë miqësore me Kosovën, dhe se në kohën e tyre kanë krijuar terren që Serbia të ketë përftime .
Po ashtu, pa kaluar shumë kohë në një prononcim për mediumin Nacionale e ka akuzuar të parin e Qeverisë së Kosovës se e ka prishur miqësinë mbi tri dekada ndërmjet Amerikës dhe liderëve të Kosovës. Sipas tij, “Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”. Ndërkohë, dje deklaroi, se Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin, po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, si dhe “Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”.
Ky reagim erdhi pasi kryeministri Kurti gjatë një tubimi elektoral kishte pohuar se raportet me SHBA-të janë më të shkëlqyera se asnjëherë tjetër më parë. Madje në dallim nga ish lidershipi politik i vendit që i kishte përdorur këto marrëdhënie për forcim të pushtetit personal, tashmë ato po përdoren për interesa shtetërore. Me këtë rast, duket që Richard Grenell ka dashur ta përçojë mesazhin tek qytetarët e Kosovës, pak para zgjedhjeve të 9 shkurtit, që të mos bien pre e këtij narracioni. Dhe nëse ata e vlerësojnë aleancën me Uashingtonin si jetike, atëherë të paktën kjo nuk mund të mirëmbahet nga perspektiva e administratës aktuale në pushtet me Kurtin.
Se kryeministri Kurti ka pasur telashe me të gjitha administratat amerikane, siç ka pohuar Grenell, kjo nuk mund të mohohet. Madje kritika edhe më të ashpra për sjelljen e tij si anti-amerikane kanë pasur edhe përfaqësueses të dy administratave në të kaluarën. Mirëpo, befasisht ato nuk e kanë zbehur përkrahjen e tij elektorale, por vetëm sa e kanë shtuar.
Të gjithëve na kujtohen tensionet me ambasadoren e parë amerikanë në Kosovë, tashmë të ndjerë Tina Kaidanow. Kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, ish-Ambasadori tjetër Christopher Dell, pas vizitës që i kishte bërë një partie tjetër që atëbotë për herë të parë po merrte pjesë në zgjedhje, asaj të FER-it, të drejtuar nga Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda, kishte deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka agjendë anti-amerikane. Madje ekzistojnë pandehma se kjo parti ishte krijuar me instruksione amerikane vetëm me qëllim ta relativizonte ndikimin e mundshëm të Vetëvendosjes duke e fragmentarizuar votën e qytetarëve të pakënaqur me partitë e establishmentit. Por kjo mbështetje amerikane nuk i kishte ndihmuar kësaj partie ta kalonte pragun zgjedhor. Të njëjtit patën shansin që të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës, vetëm kur u pajtuan që t’i subordinohen Albin Kurtit. Ndërkohë, kur ndodhi çarja me këtë të fundit, përsëri e humbën këtë shans.
Kjo armiqësi me SHBA-të vazhdoi gjatë gjithë kohës sa Albin Kurti u bë pjesë e jetës parlamentare. Ish-ambasadorja tjetër amerikane, Tracey Jacobson, kishte ofruar dëshmi se si aktivistët e këtij subjekti e kishin sulmuar atë deri sa ishte duke shkuar në sallën e Kuvendit. Po ashtu, ajo kishte prezantuar fakte se si përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e kishin kërcënuar më protesta njeriun më meritor për çlirimin e Kosovës, ish-Sekretaren e Shtetit, tashmë po ashtu të ndjerë Madeleine Albright, nëse kjo e fundit do ta vizitonte Prishtinën.
Ndërkohë, ish-Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Philip Reeker, në vitin 2015 e kishte quajtur Lëvizjen Vetëvendosje si palaço, pas kundërshtimit që kjo e fundit po i bënte procesit të dialogut me Serbinë.
Raportet ndërmjet Albin Kurtit dhe SHBA-ve kanë pasur edhe momente relaksimi në intermexo të këtij antagonizmi. Fillimisht, kur kjo parti kishte kundërshtuar nismën e Koalicionit PAN për ta zhbërë Gjykatën Speciale. Këtë veprim të partive të dalura nga lufta, ish-Ambasadori tjetër Greg Delawie, e kishte quajtur si“thikë pas shpine për SHBA-të”Ky muaji i mjaltit vazhdoi edhe me të dërguarin tjetër të Uashingtonit në Prishtinë, Philip S. Kosnett. Ato u helmuan pikërisht nga intervenimet në prapaskenë të Richard Grenellit, të cilat rezultuan me shkarkimin e Qeverisë Kurti 1 për shkak të kundërshtimit që ky i fundit kishte mbajtur ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit të vitit 2020. Akt ky, që e zemëroi tej mase opinionin publik duke ndikuar në masivizimin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje deri në përmasa ta panjohura më parë për asnjë parti politike.
Saga e kësaj armiqësie e ka karakterizuar edhe këtë mandat. Janë të ditura deklaratat e disa prej diplomateve të njohura kundër Albin Kurtit. Që nga ato të ish-Ambasadorit Jeff Hovenier, Gabriell Esocbar, e deri te Ndihmës Sekretari i shtetit për Euroazi, Xhejms O’Brajan.
Gjithsesi, ky konflikt siç tham edhe më sipër vetëm sa i kanë ndihmuar Albin Kurtit. A është kjo pasojë e forcimit të sentimenteve anti-amerikane në shoqëri ndër vite e të cilat i ka eksploatuar lideri i Vetëvendosjes, apo edhe e dështimit të opozitës, është një temë që kërkon trajtim tjetër?
Megjithatë nuk mund të mohohet fakti se këto të fundit, në masë të madhe në vend të betejës kundër Albin Kurtit shpresat kryesore i kanë pasur te ndihma që mund ta gjejnë te Amerika për largimin e tij nga pushteti. Në këtë mënyrë vetëm sa e kanë vështirësuar punën e SHBA-ve në Kosovë, sepse në vend se këto ta shndërronin vetën në forca të dobishme politike për Amerikën duke e luftuar Albin Kurtin, këto kanë shpresuar se Amerika do të mund të shndërrohet në trampolinë të dobishme për to me qëllim që ta mbajnë apo në ndërkohë ta fitojnë pushtetin.
Por në këtë mënyrë vetëm sa e kanë vështirësuar punën e së parës, sepse nuk i kanë lënë asnjë partner tjetër politik, pos Albin Kurtit, edhe pse ky i fundit nuk është i preferuari i saj. Prandaj, sot kemi ardhur në atë situatë, ku disponimi politik i shoqërisë në masë të madhe është kanalizuar në drejtim të kundërt me interesat shtetërore. Dhe kjo antinomi bëhet me e rrezikshme sidomos gjatë mandatit Trump 2. Ngase, kjo e fundit dallon rrënjësisht nga hera parë.
Në fund të fundit, gjatë administratës Trump 1, pjesa me madhe e stafit vinte nga strukturat tradicionale të Partisë Republikane. Dhe vetë drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë atëbotë ishte më i kufizuar sa i përket ushtrimit të pushtetit. Mirëpo, aktualisht ai thuajse e zotëron një pushtet “absolut” dhe nuk është duke hezituar për ta përdorur në çdo mënyrë të mundshme në funksion të agjendës së tij politike “Amerika e Para” (America First). E një përplasje e tillë mes Kosovës dhe Uashingtonit do të ishte me pasoja fatale në këto rrethana për shtetin tonë. /TV Arbëria