Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro, pas ankesës së paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për një deklaratë të kandidatit për deputet, Glauk Konjufca.
Kryeparlamentari në tubimin e 23 janarit në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë kishte deklaruar “A ka me u qeverisë në Kosovë mas 9 shkurtit shqiptarizmi edhe kombëtarizmi shqiptar a ka me u qeverisë bashkë me Beogradin, qikjo është dilemma” që nënkupton opozitën, duke e parë si thirrje për nxitje dhe urrejtje.
I pyetur për një deklaratë të tillë, kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Vataj, ka deklaruar se një gjuhë e tillë është ofenduese.
Madje ai në emisionin “N’Pult” prodhim i TV Arbëria, tha se i vie keq “pse e ka thënë Glauku, se është djali i bacit Sherif që është i burgosur politik”.
“Është ofenduese dhe po më vjen keq pse e ka thënë Glauku se është djali i bacit Sherif që është i burgosur politik. Me këtë fjalor nuk mundet me arritë askund, më vjen keq për Glaukun kjo është gjuhë ofenduese unë nuk e kam ndëgju drejt prej tij, por nejse. Ne e bëjmë fushatë, por shqiptarizmi tregohet me vepra jo me fjalë, kush ka sakrifiku për këtë ven, kush ka derdh gjak për këtë vend, kush ju ka kundërvu pushtetit serb kur ka qenë koha, kush e ka kap pushkën kur ka qenë koha. Dhe ata që deklarojnë kështu janë përveç qëllimeve dashakeqe janë edhe ofenduese për një kategori të njerëzve që janë të dëshmuar”, tha Vataj.
Sipas Panelit nga përmbajtja e deklarimit te kandidatit për deputet të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve në kuadër të fushatës zgjedhore dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe te përçarjes”, thuhet në vendimin e PZAP’së./TV Arbëria