Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga shpallja e pavarësisë thuajse të gjitha partitë politike kanë bashkëqeverisur ndërmjet vete. Ose edhe nëse nuk e kanë bërë një gjë tillë në pushtet të paktën janë bashkuar në opozitë. I vetmi koalicion që deri më tani e ka pasur karakterin e një tabuje politike ka qenë ai ndërmjet, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.
Këto dy parti e kanë definuar njëra tjetrën në një armiqësi për “jetë a vdekje” publikisht. Megjithëse, pa ndihmën “private” të së parës në vitin 2013, e dyta thuajse e ka pasur të pamundur t’i fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë. Dhe pikërisht kjo mbështetje atëbotë u konsiderua si një hap vendimtar që i ndihmoi Lëvizjes Vetëvendosjes ta kalonte Rubukonin. Sepse që nga ai moment kjo parti filloi të shihej edhe si një subjekt qeverisës që mund ta fitojë pushtetin, e jo vetëm si një grup “rebel pa kauzë”.
Por a është e mundur që të thyhet edhe kjo tabu politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Që më në fund kundërshtaret e dikurshëm ta ndajnë tortën e pushtetit në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Natyrisht, në bazë të deklaratave të deritanishme të zyrtarëve të të dy partive në fjalë, ky mision është i pamundur. Secila e kanë mohuar një skenar të tillë. Lideri i partisë aktuale në pushtet para pak dite ka pohuar se jo vetëm me këtë parti, por i përjashton koalicionet me secilën prej atyre që janë në opozitë, me arsyetimin se asnjëra prej tyre nuk janë reformuar. Prandaj, edhe është në kërkim të 500.000 zemrave për ta sunduar i vetëm. Ndonëse, jo shume kohë më parë ndërrimin e lidershipit politik në LDK dhe PDK, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e kishte qujtuar si shprehje të katarsisit të tyre moral dhe politik. Kurse, ata të PDK-së, janë shprehur se e preferojnë bashkëpunim me LDK-në. Ndonëse të njëjtit kanë qenë të rezervuar gjatë gjithë kohës, për të vizatuar vija të kuqe me pretendimin se nuk dëshirojnë ta ofendojnë elektoratin shqiptar të kësaj partie.
Sidoqoftë, përtej këtyre pozicioneve elektorale a mund të ndodh që këto parti “ta tejkalojnë vetveten” dhe t’ia shtrinë dorën njëra tjetrës të kushtëzuara nga rrethanat? Kjo në masë të madhe do të varet nga rezultati përfundimtar. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave përkundër pretendimeve të tyre, asnjëra nga prej partive aktuale nuk do ta fitojë mbështetjen që e pretendon. Natyrisht, nuk përjashtohet as mundësia që partitë aktuale opozitare së bashku me ato minoritare ta formojnë qeverinë. Mirëpo, një formulë ku Lëvizja Vetëvendosje degdiset në opozitë, (skenar, ky që edhe vetë kryeministri Kurti, nuk e ka përjashtuar në një rast), vështirë se do të mund të mbijetonte më shumë deri në zgjedhjen e presidentit. Sic dihet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Pacolli, kur fillon kjo procedure në sallë duhet të jenë prezent 80 deputetë. E nëse dështon ky proces, secila prej tyre do të ballafaqohet më tri palë zgjedhje brenda një viti. Këto që do të përfundojnë më 9 shkurt. Ato lokale në vjeshtë. Dhe nga pamundësia për ta zgjedhur presidentin edhe te rejat paralmanetare në fillim të vitit të ardhshëm. Ato do të ishin një kosto e papërballueshme
Janë këto kushte që mund ta bëjnë reale një koalicion ndërmjet këtyre dy partive. Sepse, në fund të fundit edhe te ato sensi i interesit vetjak do të mund të dominojë mbi konsideratat tjera. Kurse ky akt po ashtu do ta shtronte rrugën e ndryshimit të pushtetit sidomos në kryeqytet në zgjedhjet lokale. Sepse të paktën që nga viti 2013, votat e Partisë Demokratike të Kosovës janë treguar vendimtare se a do ta drejtojë kryeqytetin Lidhja Demokratike e Kosovës apo Lëvizja Vetëvendosje. E zotërimi i pushtetit në kryeqytet është dasmuar si trampolinë ideale për pleksjen e biznesit dhe politikës. /TV Arbëria