Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës, Tom Dodaj dënohet me pesë vjet burg e 5 mijë euro gjobë

Ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës, Tom Dodaj dënohet me pesë vjet burg e 5 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me pesë vjet burgim e 5 mijë euro gjobë Tom Dodajn, i cili akuzohet se ia kishte shitur Naim Murselit e Granit Plavës, armën me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

Ai është dënuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Paraprakisht Dodaj e pranoi fajësinë për veprën që ngarkohet. Pranimin e fajësisë nga ana e tij e bëri të ditur avokati i tij.

“Vullnetarisht ka vendosur ta pranojë fajësinë”, deklaroi ai.

Pastaj gjyqtarja pyeti vëllain e Liridonës, nëse pajtohen me pranimin e fajësisë, ku ai tha se “Po pajtohem plotësisht”.

Më pas gjyqtarja deklaroi se familja Ademaj e mirëpresin pranimin e fajësisë.

“E mirëpresin pranimin e fajësisë nga i akuzuari Tom Dodaj”, tha ajo.

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.