Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për një medium spanjoll “El Mundo”, ka deklaruar se “qeveritë e kaluara i bënin lëshime Serbisë për të nxjerr përftime politike”.
Këtë deklarat të Kurtit, e ka komentuar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.
Ai në një prononcim për TV Arbëria i ka reaguar Kurtit, duke thënë se lëshimi i vetëm nga qeveritë e kaluara është se nuk e nxorrën nga sistemit zgjedhor LVV-në dhe Kurtin.
Berisha këtë deklaratë të Kurtit e ka quajtur spekulim dhe propagandë mashtruese. Ai ka theksuar se asnjëherë nga Hashim Thaçi nuk i është bërë asnjë lëshim Serbisë për të sjell përfitime politike. Ai ka shpalosur edhe disa pika që sipas tij e dëshmojnë se nuk ka pasur asnjë lëshime në këtë aspekt.
Deklarata e plotë e Hisen Berishës, nga PDK-ja:
Lëshimi nga qeveritë e kaluara, është fakti se nuk e nxorën jashtë sistemit zgjedhor LVV dhe Kurtin
Kjo deklaratë është në nivelin e spekulimeve dhe propagandës mashtruese. Në asnjë marrëveshje të arritur nga Hashim Thaçi e kryeministra të qeverive tjera nuk i kan bërë asnjë lëshim Serbisë. Kjo mund të deshmohet, nëse i interpretojmë marrëveshjet me radhë. Të gjitha janë bërë me asistencen politike e garantimin politik dhe ushtarak të Amerikës.
Marrëveshja ndërkombëtare e Rambujesë, për largimin e ushtrisë, policisë, paramilitarëve, kriminelëve dhe administratës serbe nga Kosova dhe premtimi për pavarësim që ju dha delegacionit të kryesuar nga Hashim Thaçi, nuk ishte lëshim. Kurse Albin Kurti deklaronte se “nuk mund ti besojmë Amerikës”.
Zhvillimi i bisedimeve në Vjenë, të udhëhequra nga Hashim Thaçi përballë Serbisë e diplomatëve pro-serbë si Lavrovi dhe të tjerë, dhe gjetja e një zgjidhjeje politike për Kosovën pas dekadash robërie, nuk ishte lëshim.
Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, nuk ishte lëshim dhe as “tradhti”, siç e ka quajtur Albin Kurti.
Arritja e 116 njohjeve dhe integrimi në shumë mekanizma politik, zhvillimor dhe të sigutidë si, CEFTA, MSA, A5, konsolidimi i sistemit kufitar IBM etj, nuk janë lëshime.
Ndërtimi i institucioneve dhe konsolidimi i shtetit nuk ishin lëshime. Përkundër mohimit e poshtrimit që iu bënte Albin Kurti & Co.
Shtrirja e pushtetit shtetëror në veri, vendosja e pikave doganore në vitin 2011 me prezencen e përkrahjen direkte të Përfaqësuesit Special të OKB, dhe ndalja e qeverisjes serbe brenda kufijve të Kosovës, nuk ishin lëshime.
Shkrirja e grupeve ekstremiste serbe në Veri dhe integrimi i tyre në jetën institucionale dhe sistemin zgjedhor të Kosovës, në vitin 2014 e tutje ishin hapa të rëndësishëm, jo lëshime. Kjo bëhej me mbështetjen e aleatëve dhe në frymen e konsolidimit kushtetues të shtetit.
Arrestimi dhe ndëshkimi i atyre që nuk respektonin ligjet e Kosovës në vitin 2017, tregon respektimin e rendit dhe ligjit, jo lëshim as bllokim e defunksionalizim të institucioneve në asnjë nivel.
Për më tepër, në qeveritë e kaluara:Sfiduam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kërkesën e Serbisë për rrëzimin e të drejtës së Kosovës në pavarësi, duke marrë një opinion pozitiv – kjo nuk ishte lëshim.
Arritëm 39 marrëveshje teknike për normalizim të raporteve me Serbinë në Bruksel, me garanci të SHBA-së dhe kaluan procedurat kushtetuese të ratifikimit në Kuvend – as kjo nuk ishte lëshim.
Pas ratifikimit të marrëveshjes për Asociacionin u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, e cila në shtatë kapituj e 22 nene, ia hoqi çdo germë që synon kompetencat ekzekutive, as kjo nuk ishte lëshim.
Marrëveshja e parimeve që kërkonte që çdo draft për Asociacionin të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese ishte një fitore diplomatike, jo lëshim.
Në dialog, arritëm të vendosnim tri kushte për Serbinë për integrimin në BE, njohjen e Kosovës, ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve. Këto ishin suksese, jo lëshime.
Marrëveshja e Uashingtonit për njohjen reciproke ishte një tjetër arritje, që fatkeqësisht u pengua nga qeveria Kurti, dhe si konsekuencë edhe nga Vuçiqi e Serbia.
Sot, krahasuar me të kaluarën, qeveria aktuale po shkatërron çdo arritje të bërë në partneritet me aleatët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-në.
Vendimet e pamatura të kësaj qeverie kanë izoluar Kosovën, duke e futur nën sanksionet e BE-së, me miratimin e heshtur edhe të vendeve demokratike.
E vetmja gjë që mund të quhet “lëshim” nga qeveritë e kaluara, është fakti se nuk e nxorën jashtë sistemit zgjedhor LVV dhe Kurtin, që kanë kanë kryer sulme mjete terroriste kundër institucioneve të shtetit, policisë etj. /TV Arbëria