Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A mund të mbijetojë politikisht Albin Kurti duke e mikluar administratën Trump?

A mund të mbijetojë politikisht Albin Kurti duke e mikluar administratën Trump?

Shkruan: Afrim Kasolli

Deklarimi i djeshëm i Kryeministrit Kurti për mediumin spanjoll “El Mundo” se administrata Trump gjatë mandatit të parë kishte për “prioritet promovimin e stabilitetit” nëpërmjet Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në mes të ish-Kryeministrit Abdullah Hoti dhe Kryetarit serb, Aleksandër Vuciq, në shtator të vitit 2020, në Shtëpi të Bardhë, shkaktoi një reagim masiv. Një kthesë e tillë u vlerësua si shprehje tipike e hipokrizisë së drejtuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos, kur dihet se pikërisht nga denoncim i kësaj marrëveshje partia në pushteti kishte përfituar jo pak politikisht.

Atëbotë, kryeministri Kurti këtë angazhim diplomatik të Uashingtonit për procesin e dialogut në mes dy vendeve, e pat atakuar sipas një retorike thuajse anti-imperialiste. Sepse Kosova, sipas tij “nuk është në Meksikë”. Dhe se fati i saj duhet të adresohet në instancat e politikës së Jashtme të Brukselit. Ndërkohë, në intervistat në mediat ndërkombëtare rolin e ish të dërguarit amerikan, Richard Grenell, e kishte portretizuar si atë të një agjenti sekret që komploton kundër vullnetit qytetar për të përmbysur qeveri legjitime demokratike. Madje, i njëjti jo shumë kohë më parë po ashtu në mediat britanike ishte solidarizuar me “ankthin evropian mbi rikthimin e mundshëm të Donald Trump-it”

Mirëpo, si demonizimi i saj para katër viteve dhe vlerësimi i të njëjtit akord sot nuk ka dyshim se është i kushtëzuar nga një kalkulim i pastër taktik për pushtet nga lideri i Vetëvendosjes. Madje, deklarimet e fundit të kryeministrit Kurti për ta mikluar administratën e re Trump janë shprehje e një përpjekje të dëshpëruar që zyrtarët e kësaj partie kanë filluar ta mbrojnë kohën e fundit. Para pak dite numri dy i këtij subjekti politik, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konfjufca, e akuzoi administratën Obama dhe Biden, se kanë qenë me afër interesave të Serbisë.

Megjithatë, pozicionimi në favor të Brukselit kundër Uashingtonit atëbotë kishte ndodhur edhe për shkak mbështetjes evropiane që Lëvizja Vetëvendosje e gëzonte. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë deputeti i Bundestagut Gjerman, Josip Juratoviq, në një intervistë për Nova.rs, kur ka deklaruar se ishte “nga ata që e kishte përkrahur Albin Kurtin meqë ky i fundit i kishte premtuar thyerjen e “koalicionit të luftës”. E siç dihet, te ky i fundit Uashingtoni kishte shumë më shumë ndikim sesa Brukseli. Pra shihet qartë se Kurti synonte që nëpërmjet mbështetjes gjermane ta kompensonte mungesën e raporteve me SHBA-të, kurse gjermanët nëpërmjet forcimit të Kurtit ta minonin ndikimin e Amerikës në Kosovës, si e pjesë e planeve me të gjëra strategjike për ta minuar atë në tërë Evropën dhe forcimit të bashkëpunimit me Rusinë. Raporte këto që krijuan një tension të paprecedent ndërmjet Kosovës dhe aleatit të saj strategjik përtej brigjeve të Atlantikut. Kjo ka qenë kështu deri sa nuk ndodhi intervenimi brutal i Rusisë në Ukrainë, luftë kjo që i prishi edhe shumë nga lidhjet biznesore në mes shumë vendeve të BE me Moskën.

Sidoqoftë, kur pas një odiesade të gjatë më fund procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po e gjente rrugën e depërtimit në Shtëpinë e Bardhë, si adresa e vetme ku mund të gjente zgjidhje, Kurti angazhua maksimalisht për ta nxjerr atë nga Zyra Ovale në favor të një entiteti pa ndonjë peshë specifike gjeopolitike siç është BE-ja. Është e vërtetë se liderët e Kosovës deri atëbotë kishin pranuar të bëheshin pjesë e procesit të lehtësuar nga Brukseli, si dhe duke nënshkruar disa marrëveshje me Beogradin, por kjo vetëm pasi i kishte këshilluar Uashingtoni ta bënin një gjë të tillë..

Ndërkohë, irelevanca e Unionit po vërehet sot më shumë se asnjë herë tjetër, kur roli i tij është tërësisht minor në negociatat e mundshme ndërmjet kryetarit rus, Vladimir Putinit dhe atij amerikan për fatin e luftës në Ukrainë, me ndërmjetësimin e Gjeneralit në pension Keith Kellogg, si i dërguar special i Presidentit Trump, për Ukrainën dhe Rusinë, apo edhe negociatat e paqes në Lindje të Mesme, ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Kështu, goditja ndaj kësaj mundësie ideale që ju ofrua Kosovës para katër viteve, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se rrezikim i interesave shtetërore për përfitime personale politike. Madje i njëjti pushtet në Kuvendin e Kosovës kishte refuzuar ta votonte rezolutën për zbatimin Marrëvehjses së Uashingtonit e cila prioritet e paska pasur stabilitetin. Se Kosova kishte përfituar nga mbështetja e administratës së parë Trump vlen të ceket fakti i formimit të Ushtrisë së Kosovës, sepse ky transformim u bë i mundur vetëm me bekimin e Pentagonit, përkundër mospajtimit të vendeve evropiane

Megjithatë, me rikthimin e Donald Trumpit, është bërë e qartë se shumë shtete evropiane do të jenë në hall për vete për shkak të kërcënimeve të Kryetarit amerikan se do të imponojë tarifa tregtare edhe me për mallrat nga vendet e BE-së. Prandaj, i braktisur nga mbështetësit e dikurshëm, dhe pa asnjë peshe speficifike ndërkombëtare, tashmë Kurti shpreson se duke e mikluar edhe një herë administratën e re amerikane mund t’ia zgjas vetes pushtetin. Mirëpo, të dhënat e fundit nga Uashingtoni nuk janë shpresëdhënëse. I emëruari i posaçëm për misione të posaçme në vatra të nxehta gjeopolitike, Richard Grenell, disa herë i ka reaguar liderit të Vetëvendosjes se me veprimet e tij e ka cenuar raportin bipartizan që ka dominuar për tri dekada ndërmjet Kosovës dhe Uashingtonit.

Është e vërtetë se edhe liderë tjerë të shteteve të BE-së janë duke bërë të pamundurën që të përshtaten me pushtetin e ri në Uashington. Dhe në këtë mënyrë të tentojnë t’i avancojnë interesat e vendeve të tyre duke marrë për shkas edhe preferencën e Presidentit Trump më shumë për raporte transaksionale dhe biletarele. Mirëpo nëse vërehet me vëmendje, këtë kurs janë duke e ndjekur kryesisht ata liderë me sfond ideologjik të djathtë, sikur se Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, apo Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Ndërkohë, ata më orientim të majtë, sikur Kancelari gjerman, Olaf Scholz, apo ai kanadez, Justin Trudeau, e kanë shtruar rrugën e tërheqjes së tyre.

Përfundimisht, me këtë metamorfozë cinike, Kurti vetëm sa dëshmoi edhe njëherë se përkundër interesit shtetëror edhe angazhimit ideologjik, ai nuk përfaqëson asgjë tjetër, pos një shembull klasik të oportunizmit politik./tvarbëria/