Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbi 2 miliardë euro borxhe nga qytetarët për katër vite vetëm për nevoja të konsumit

Mbi 2 miliardë euro borxhe nga qytetarët për katër vite vetëm për nevoja të konsumit

Përgatiti: Afrim Kasolli

Që kur ka ardhur në pushtet Lëvizja Vetëvendosje i ka kushtuar një rol primar politikave buxhetore të subvencioneve. Kjo kategori e shpenzimeve e ka gëzuar primatin e përdorimit të parasë publike për katër vite në raport me investimet kapitale, pagat dhe mëditjet si dhe shërbimet dhe mallrat. Edhe buxheti i vitit 2025 me 3.5 miliardë euro e ruan këtë hierarki. Më këtë rast janë paraparë 1.155 milionë “investime” në këtë sferë.

Sipas zyrtarëve të partisë në pushtet në këtë mënyrë për herë të parë qytetarëve të Kosovës po ju kthehen paratë e tyre, në dallim nga qeverisjet e kaluara që ua merrnin ato për t’i shpërdoruar për interesa të grupeve të ngushta sunduese politike dhe ekonomike.

Ndaj këtij modeli ekspertë te ndryshëm kanë adresuar kritika të ashpra, se si i tillë nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik. Ish-kryeministri Abdullah Hoti me rastin e miratimit të Ligjit mbi Buxhetin për vitin 2025, kishte deklaruar se, “Buxheti gjatë këtij mandati ka qenë 11.4 miliardë euro. Ndikimi në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero në kontekst të ndryshimit të strukturës ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kjo sepse është përkeqësuar struktura e buxhetit, kanë ndërruar raportet mes subvencioneve dhe investime kapitale. Me subvencione nuk zhvillohet ekonomia. Janë rreth 520 milionë euro subvencione të pagume për entitetet publike, 113 milionë euro energji në veri me të cilat jam i sigurtë që do të ishte financu projekti i gazit për energji. Edhe ato investime kapitale nuk janë realizu. Kanë qenë të planifikume 3 miliardë euro, janë realize vetëm 1.2 miliardë. Janë realizu vetëm 40 % ndërsa në Qeveritë e kalume janë realizu 65-75 %”.

Ndërkohë, para pak dite në një status në rrjetin e tij social, Korab Rashiti, deputet shqiptar në Kantonin e Bernit, ka shkruar se shndërrimi i subvencioneve dhe transfereve në qëllim kryesorë politik të një qeverie, “mund t’i pengojë modifikuesit dhe oepracaionet e tyre për t’u bërë financiarisht të pavarur si dhe mund ta çorodit realitetin ekonomik, të krijojë çrregullim të dëmshëm të tregut duke përjashtuar alternativat e tregut si dhe t’i hapë rrugë një bashkëpunimit të rrezikshëm politik”

Mirëpo, përtej këtij interpretimi ideologjik dhe politik, të dhënat ekonomike tregojnë për një dështim tjetër të kësaj metode. Apo se ajo i ka shërbyer shtimit të mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Sipas statistikave të prezantuara dje nga Instituti GAP, të marra nga Banka Qendrore e Kosovës, përgjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, kreditë konsumuese kanë shënuar një rritje enorme. Në vitin 2021 qytetarët e Kosovës ishin zhytur borxhe deri në 526.7 milionë euro. Në vitin 2022 493,4 milionë euro. Në vitin 2023 608.1 milionë euro. Kurse në vitin 2024, 772.9 milionë euro.

Pra vetëm me qëllim të sigurimit të mbijetesës qytetarët e Kosovës, për katër vite kanë hyrë mbi 2 milardë euro në obligime financiare në bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Një dëshmi kjo se presioni për të siguruar nevojat ekzistenciale ka qenë më i lartë së asnjëherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Ndërkohë, përmasat e vërteta të këtij të fenomeni mund të kuptohen më qartë kur analizohet edhe rritja e remintencave nga diaspora dhe migrimi që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Këto variabëla e pasqyrojnë gjendjen reale ekonomike në vend; më pak banorë më shumë borxhe dhe varësi më e madhe nga diaspora vetëm për mbijetesë./tvarbëria/