Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Peter Sorensen emisar për dialogun Kosovë-Serbi, BE: E merr detyrën më 1 shkurt me mandat fillestar prej 13 muajsh

Peter Sorensen emisar për dialogun Kosovë-Serbi, BE: E merr detyrën më 1 shkurt me mandat fillestar prej 13 muajsh

Bashkimi Europian e ka emëruar sot diplomatin danez Peter Sørensen Përfaqësues Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja njoftoi se “detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë ta lehtësojë dialogun që do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës* dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të miratuar në shkurt dhe Mars 2023”.

Sørensen do ta marrë detyrat e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh, siç njoftoi Brukseli.

“Z. Sørensen është një diplomat danez me përvojë të gjerë, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, z. Sørensen e përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, përfshirë edhe si përfaqësues i Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Përfaqësuesit Specialë të BE-së “promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të caktuara, si dhe çështjet me interes ose interes të veçantë për BE-në”, thekson blloku europian.

“Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për t’i konsoliduar reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Përfaqësuesit e parë Specialë të BE-së u emëruan në vitin 1996. Aktualisht, njëmbëdhjetë emisarë mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas”, thuhet në njoftim.