Shkruan: Afrim Kasolli
Të gjitha partitë politike gjatë kësaj fushatë elektorale janë zotuar se nëse e marrin pushtetin, akti i parë që do ta bëjnë do të jetë ngritja e pagave në sektorin publik. Ndërkohë, partia në pushtet krenohet se gjatë mandatit të saj më së shumti janë rritur ato. Tashmë, ajo ka marrë një vendim të kontestuar në aspektin ligjor për ngritjen e tyre dy herë nga 50 euro. Fillimisht, pritet që kjo ngritje të bëhet në fund të këtij muaji, dhe pjesa tjetër pas 6 muajve. Ndonese ky vendim ka shkaktuar shumë pasiguri jurdike, sepse është bërë me Ligjin përt Buxhetin dhe jo sipas nenit 42 të Ligjit për pagat në sektorin publik, ku caktohet edhe shuma financiare e koeficientit prej 110 eurosh, dhe thuhet se “ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave”
Por përtej këtyre dilemave juridike, ndryshim të koeficientit ka premtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Zyrtarët e saj janë zotuar se pa humbur kohë, do ta ndryshojnë koeficientin nga 110 euro në 150 euro. Kurse asnjë pension nuk do të jetë nën 150 euro. Kurse kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza, ka premtuar se pagat në sektorin publik do të rriten deri 50 për qind. Ai madje është betuar se nëse nuk e mban këtë premtim do të jap dorëheqje. Gjeneroze në ketë drejtim është treguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haredinaj ka premtuar se nuk do të ketë pagë nën 1 mijë euro në këtë sektor.
Nuk ka dyshim se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për të ardhura më të larta veçanërisht pas inflacionit enorm dhe fluturimit astronomik të çmimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe.
Mirëpo, këtë nevojë e kanë të gjithë të punësuarit dhe jo vetëm ata që janë të punësuar në njërin nga këta sektorë. Për më shumë kjo qasje e partive politike duke favorizuar vetëm sektorin publik e dëmton atë privat. Dhe siç dihet ky i fundit është motori që e mban gjallë jetën ekonomike në vend. Është e kuptueshme që ato do të arsyetohen se në një ekonomi të tregut shteti nuk ka kompetenca të ndërhyje në kompanitë private. Ky i fundit mund te vetëm ta caktojë pagën miminale dhe asgjë më shumë.
Sidoqoftë, nuk mjafton ky abdikim nga përgjegjësia shtetërore. Me këtë rast secila prej partive opozitare ka premtuar ndryshim të politikave tatimore. Bie fjala, sipas propozimit ekonomik të PDK-së, bizneset që investojnë mbi 500 000 euro apo punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore. Pra sipas këtyre parametrave nën qeverisjen e PDK-së, ndërmarrjet ekonomike do të kenë tatime me pak dhe të ardhura më shumë. Por ky fitim a do të jetë vetëm për pronarët apo edhe për ata që janë të punësuar në ato kompani? Pra, eksitojnë mundësi të panumërta që qeveritë nëpërmjet politikave intervencioniste mund të ndikojnë që të përmirësohet gjendja në këtë sektor. Kështu, përfitime nga ky çlirim tatimor do të mund të kenë jo vetëm për shkak të numrit të të punësuarave, por edhe nga pagat që i ofrojnë për të punësuarit e tyre. Kurse, LDK është zotuar për heqjen e TVSH-së për shportën bazë të konsumit dhe heqja e TVSH-së në energji elektrike”. Por as kjo masë nuk i korrigjon diferencat që i krijon qasja e kësaj partie për të favorizuar vetëm ata që janë të punësuar në sektorin publik.
Mirëpo, në vend të kërkimit të alternativave për t’i mbështetur 300. 000 mijë të punësuarit në sektorin privat, siç duket partitë politike janë më shumë të fokusuara se si ta joshin vetëm klientelen e tyre partiake të punësuar në sektorin publik. E siç dihet ky i fundit vetëm i konsumon të mirat që i krijon i pari. Në sektorin privat njerëzit janë punësuar nga nevojat e investitorit dhe meritat e të punësuarave, apo të vetëpunësuar. Kurse në atë publik, shumica janë të punësuar nga nevojat e partive politike për të prodhuar kilentele partiake. Të parët janë të dobishëm për gjatë gjithë vitit, kurse shumica (jo të gjithë) e pjesës së dytë janë të dobishëm vetëm për fushata elektorale. I pari krijon punëtorë, i dyti militantë.
Prandaj më premtimet e tyre elektorale partitë politike janë dalluar për një gjë, që secila prej tyre me politikat e propozuara vetëm sa do ta thellojë pabarazinë sociale dhe ekonomike ndërmjet këtyre dy sferave. Duke i ngarkuar punëtorët e sektorit privat me një barrë të dyfishtë, që ta mbajnë vetën dhe ata në sektorin publik. /TV Arbëria