Prokuroria e Prizrenit Kërkon Paraburgim për të Arrestuarin për Vjedhje të Rëndë në Argjendari
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar për arrestimin e një person me inicialet Sh.H., nga fshati Greme në Ferizaj për vjedhje të rëdë në një argjendari në Prizren në orët e para të 12 janarit. Ndaj tij, kërkon 30 ditë paraburgim.
“I pandehuri i arrestuar, dyshohet se me datë 12.01.2025, rreth orës 03:45min, në njërën prej argjendarive në Prizren, duke vepruar në bashkëveprim me të pandehurit tjerë NN (gjer më tani të paidentifikuar), pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal. Më pas depërtojnë në lokal, e dëmtojnë kasafortën dhe arrijnë ta hapin dhe të marrin 3 kg ari ( tre kilogram) dhe 1 kg argjend (një kilogram) në vlerë prej 168.000.00 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë euro) dhe pastaj të pandehurit largohen nga dera kryesore në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Lidhur me rastin me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, është lëshuar urdhërkontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, ku thuhet se “janë kontrolluar objekti i banimit i të dyshuarit së bashku me objektet përcjellëse në fshatin Greme”.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi dhe prova të shumta të cilat janë sekuestruar. Gjithashtu, si provë materiale është sekuestruar automjeti me të cilin është kryer vepra penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Konform afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.H.