Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç është bërë zakon në çdo përvjetor të kalimit në amshim të ish-presidentit Ibrahim Rugova, thuajse të gjitha partitë politike mëtojnë ta shfaqin vetën si trashëgimtare të projektit të tij politik dhe historik. Të tentojnë të përfitojnë politikisht nga përpjekja për t’u identifikuar me frymën e tij. Madje edhe kryeministri Albin Kurti, i njohur për sulmet ndaj ish-presidentit, në fund u detyrua të kapitulloi para varrit të tij, duke tentuar ta marr ndonjë votë më shumë te elektorati i tij besnik nga kjo përkulje.
Natyrisht, kjo betejë për përvetësim nga gurra e tij shpirtërore, në vazhdimësi ishte shndërruar në burim të fërkimeve të vazhdueshme, veçanërisht ndërmjet atyre që kanë dalur nga tabori politik i LDK-së.
Të gjithëve na kujtohet se kur kishte ndodhur skizma e madhe në këtë parti politike ndërmjet krahut Nexhat Dacit si dhe Fatamir Sejdiut, të dy kampet e sipër cekura e shpallnin vetën si mbrojtëse të denja të “dogmës” së themeluesit.
E njëjta qasje e ka shoqëruar edhe divorcimin e Vjosa e Osmanit nga LDK-ja dhe bashkimin politik me Albin Kurtin. Këtë akt ajo e ka arsyetuar edhe me tradhtinë ndaj idealeve të ish-presidentit nga koniunktura drejtuese e partisë që e kishte themeluar Rugova. Ndërkohë, pak ditë më parë, drejtuesja e partisë që e themeloi Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, deklaroi se “LDK-ja e Rugovës ka vdekur, mirëpo shpirti i tij jeton në partinë Guxo”.
Kurse ditën e djeshme, me një farë mënyrë me këtë trashëgimi e bekoi familja e Rugovës kryetrarin aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikun. Se sa janë serioze, broçkullat e Donikës, dihet nga të gjithë ne. Dhe nuk dyshim se ato duhet të demantohen. Por shtrohet pyetja është rugovizimi pronë e familjes së tij? A mjafton pagëzimi me këtë traditë nga anëtarët e kësaj Familje që dikush ta fitojë atë aureolë, pavërisht veprimeve dhe qëndrimeve që ka mbajtur në jetën politike? Për më shumë, a është kjo Familje e zhveshur nga çdo interes ditor politik, anëtarët e së cilës qëndrojnë të tërhequr në kullën e fildishtë të frymës sublime rugoviste vetëm për t’i pagëzuar me shkopin e pushteti shpirtëror ata që i afrohen idesë së përjetshme?
Gjithsesi nëse kriteri familjar pranohet si i mirëqenë, atëherë nuk mund të mohohet fakti se rugovizimi paska kaluar nëpër disa “metapsikoza partiake”. Të gjithëve na kujtohet revolta publike e të birit të tij, Ukë Rugovës ndaj LDK-së së atëhershme dhe participimi i tij në partinë e Aleanca Kosova e Re të Behxhet Pacollit, për tu rikthyer përsëri nga e bija e presidentit të LDK-së, sjellja e së cilës, po ashtu ishte kritikuar nga shumëkush, kur i kishte dhuruar lule ish-presidentit Thaci, pasi ky i fundit ishte votuar nga deputetet e kuvendit, si anti-rugoviste.
Nuk ka dyshim se sot Lumir Abixhikut i nevojitet një mbështetje e tillë politike nga kjo familje, ashtu si dikur partitë e dalura nga lufta që aspironin ta përvetësonin sakrificën e Familjes Jashari.
Mirëpo, transformimi i kryetarit të LDK-së si “trashëgimtar legjitim” i rugovizimit, vetëm pse kështu ka vendosur dje familja e ish-presidentit, paraqet një devalvim “bio-politik” të idesë së tij. Sepse rugovizimi nuk është pronë e asnjë strukture primordiale. Dhe ajo mbahet gjallë me anë të veprimeve politike e jo me bekime private.
Në këtë drejtim nëse ka dikush që është afirmuar politikisht në antitezë me projektin politik të Ibrahim Rugovës, është vetë kryetari aktual i LDK-së. Ky i fundit më shumë është produkt i frymës populiste të mishëruar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sesa një dishepull besnik i së parës. Të gjithë e dimë përkushtimin e ish presidentit Rugova për ta ruajtur aleancën me Shtëpinë e Bardhë, pavërisht humbjes publike që mund ta kishte. Sepse këtë të fundit e konsideronte me të shenjtë se sentimetnet momentale popullore. Ai kishte pranuar të takohej edhe me arkitektin politikës gjenocidiale serbe, ish presidentin jugosllav, Sllobadan Miloshevic, në kohën e përshkallëzimit ditor të krimeve serbe në Kosovë, vetëm më kusht, që ky akt t’i shërbente si trampolinë për t’ia hapur dyert në Zyrën Ovale. Sepse e dinte se ajo zyre ishte adresa e vetëm e kauzës sonë kombëtare.
Kurse për dallim nga ky mësim, Lumir Abdixhku ishte strukur në jetën private kur raportet e Kosovës me SHBA-në, ishin vënë në sprovën më të madhe, për shkak të Marrëveshjes së Uashingtonit, sepse këtë akord nuk e pëlqenin Vjosa Osamani dhe Albin Kurti. Aleancë kjo që e mbrojti ish-kryeministri Abdullah Hoti, ndonëse për këtë guxim ai e pagoi një çmim të madh personal.
Kryetari i LDK-së sa herë që ka kohë të lirë mund ta shpenzojë atë në kafiterinë Elida në Pallatin e Rinisë, në vendin ku dikur ish-lideri i LDK-pinte kafe me ish- shokët e tij, gjatë diskutimeve për alternativën demokratike në atë kohë të thyerjeve historike, duke shpresuar se nëpërmjet pozave apo ikonografisë ta introjektoje rugovizimin, por as ky gjest dhe akti i djeshëm nuk mund të përdoren si mjet për shpërhapur amnezinë publike për origjinën e vërtetë të tij politike. /TV Arbëria