Bllokadat në shkollat në Serbi vazhdojnë edhe sot, në mbështetje të mësuesve dhe nxënësve, por edhe për shkak të pakënaqësisë me vendimin e sindikatave përfaqësuese për të arritur marrëveshje me qeverinë për rritjen e pagave. Në Beograd, shumica e shkollave të mesme janë në grevë.
Për të tretën ditë në Novi Sad, para shkollave ose brenda oborreve të shkollave janë mbajtur tubime në mbështetje të mësuesve që po pezullojnë ose planifikojnë të pezullojnë mësimin. Tre nga katër shkollat e mesme në Nish janë të bllokuara.
Shkollat që janë në pezullim nuk do të funksionojnë të paktën deri më 24 janar, pavarësisht vizitave të djeshme nga Inspektorati i Arsimit. Maturantët e Beogradit kanë paralajmëruar një tubim të madh për të premten.
Kjo pasi studentët që po protestojnë tash e sa ditë u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë në profilin e tyre në Instagram që të pezullojnë plotësisht të gjitha aktivitetet të premten, më 24 janar dhe t’i futen grevës.
“Ne nuk shkojmë në punë, nuk shkojmë në mësime, nuk bëjmë detyrat e përditshme”, thonë ata.
“Ta marrim lirinë në duart tona! Pjesëmarrja juaj bën ndryshimin”, shkruajnë studentët.
Ministria e Arsimit pohon se mësimi mbahet në 96 për qind të shkollave serbe, ndërsa të dhëna të ndryshme vijnë nga vetë shkollat, si dhe nga sindikata të caktuara, duke thënë se mësimi nuk është mbajtur në më shumë se gjysmën e shkollave, deri në atë pikë. se në disa qytete të gjitha shkollat kanë pezulluar punën.
Mësimdhënësit që nuk mbajnë mësim morën paralajmërim dje nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha nga Davosi, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, se “do të merren masa”.