Shkruan: Afrim Kasolli
Kjo fushatë elektorale më shumë se asnjë tjetër nxori në sipërfaqe tjetërsimin e Lëvizjes Vetëvendosje nga ajo që dikur e promovonte si kauzë të saj sublime politike.
Nëse ndër vite ky subjekt e kishte afirmuar idenë e referendumit si mekanizëm që duhet t’i shtohet patjetër demokracisë përfaqësuese sepse kjo e fundit është vetëm karikaturë pa të parën. Mirpëpo, tash qytetarët nuk kanë nevojë për më shumë sesa të presin njëherë në katër vjet për ta thënë fjalën e tyre. Po ashtu, nëse “asnjë subjekt politik nuk mund ta përfaqësoj popullin, sepse ky i fundit përfaqësohet vetëm përmes referendumit” me Abin Kurtin në pushtet plotësohet edhe ky kriter.
Kështu, nëse dikur, nuk duhej të pranohej as Plani i Ahtisarit e simbolet shtetërore, sepse nuk e kishin kaluar këtë test demokratik, sot sa i përket zbatimit të Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mjafton vetëm nënshkrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, për ta bërë atë valide. Pra zotimi i këtij të fundit, shfaqet si substitut për vullnetin kolektiv të qytetarëve të Kosovës. Këta të fundit nuk kanë nevojë ta thonë fjalën e tyre. Mjafton, pajtimi i të dy liderëve.
Sidoqoftë, ky proces i konvertimit të “shpresës në realizëm, revoltës në melankoli, apo mohimit të madh politik në një afrimin shumë ftyrësh subpolitik” u bë i qartë edhe gjatë një takimi me qytetarë në Komunën e Vushtrrisë. Me këtë rast, kryeministri Kurti deklaroi se “ai nuk është duke lëshuar pe që tri vjet e gjashtëdhjetë e katër ditë. Prandaj qytetarëve të Kosovës ju duhet që mos lëshojë pe vetëm një ditë, me datë 9 shkurt, duke e votuar numrin 118”.
Nuk ka zhvleftësim më të madh të demokracisë se sa kjo thirrje pseudo-heroike. Kështu, kryeministri e “përjashton popullin nga roli aktiv ditor politik sepse ai është zëvendësim për demosin si kategori konstituese e këtij sistemi politik”. Ky i fundit vlen të rishfaqet vetëm në kohë të votimeve dhe pas këtij akti mund të kredhet në gjumin politik të ariut polar e të ketë besim absolut në forcën rezistuese të liderit. Sepse, në krye të tij është heroi i vetmuar që po përballet me të gjitha konsparicionet e mundshme botërore kundër Kosovës. Ndonëse as ky konstatim nuk është i qëndrueshëm, sepse pikërisht gjatë këtij mandati kanë ndodhur disa nga kompromiset me të dhimbshme për Kosovën në procesin e dialogut, megjithatë operimi me fantazma të tilla ku aksioni kolektiv mishërohet vetëm në sjelljet e një individi, po ashtu është edhe qëndrim apolitik. /TV Arbëria