Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar figurën e Lulit si një shkencëtar të çmuar dhe atdhetar të angazhuar. Në një deklaratë të tij, Lladrovci ka theksuar se Luli ka mbledhur me durim dhe përkushtim mbi 300 mijë faqe nga bibliotekat me renome të Shteteve të Bashkuara, duke dokumentuar dëshmi të jashtëzakonshme për historinë e re të Kosovës dhe kombit shqiptar, shkruan TV Arbëria.
Luli, i njohur për angazhimin e tij të thellë në fushën e historisë, ka nisur karrierën e tij si profesor historie dhe drejtor shkolle, duke u nderuar me titullin doktor shkence.
Për Lladrovcin, Luli është një personalitet i njohur edhe për atdhedashurinë dhe përkushtimin që ka pasur për Kosovën dhe për forcimin e shtetësisë shqiptare që nga rinia e tij e hershme.
Në përfundim të deklaratës, Lladrovci ka shprehur besimin se Luli, si kandidat për deputet i PDK-së, do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e shtetit të Kosovës dhe marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht duke pasur në prioritet fuqizimin e shtetësisë së Kosovës në një kohë kur shumë shqiptarë janë emëruar në administratën amerikane. Lladrovci ka shpresë se Luli do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e vendit dhe do të jetë një udhëheqës i guximshëm për të ardhmen e Kosovës./tvarbëria/