Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kërcënime dhe emërime të dyshimta në MPB: I preferuari i Sveçlës, zyrtarizohet si u.d. Drejtor i Prokurimit

Kërcënime dhe emërime të dyshimta në MPB: I preferuari i Sveçlës, zyrtarizohet si u.d. Drejtor i Prokurimit

Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Xhelal Sveçla, disa ditë para skadimit të mandatit, ka emëruar një ushtrues detyre për pozitën e Shefit të Prokurimit.

Demokracia.com ka siguruar informacione shqetësuese për një situatë të tensionuar brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme- MPB.

Agim Islami, zyrtar i prokurimit në këtë ministri dhe kandidat për pozitën e Shefit të Prokurimit, akuzohet për kërcënimin e kolegëve të tij për të ndikuar në anulimin e testit me shkrim gjatë procesit të rekrutimit për këtë pozitë.

Sipas burimeve, Islami kishte aplikuar për këtë pozitë me pëlqimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Sekretares së Përgjithshme të MPB-së, Fahrije Ternava. Megjithatë, situata ka marrë një kthesë të papritur. Në vend që të hetohej për kërcënimet e pretenduara, Agim Islami është emëruar pak ditë më parë si ushtrues detyre i Drejtorit të Prokurimit në MPB, një vendim që burimet e brendshme e konsiderojnë jashtëligjshëm.

Një e-mail i dërguar nga shefi i personelit Ahmet Sh. Gashi drejt sekretares Fahrije Ternava, hedh dritë mbi kërcënimet e pretenduara të bëra nga Islami ndaj kolegëve të tij.

Në e-mail, ndër të tjera, thuhet: “Përmes këtij emaili dua të ju shfaq shqetësimin tim të shkaktuar lidhur me kërcënimin që mu bë nga nëpunësi Agim Islami, Zyrtar i lartë i prokurimit në Divizionin e Prokurimit. Sot, datë 16.12.2024, duke hyrë në zyrë, dëgjoj një zë që më thërret, ‘Ahmet, Ahmet’… kur kthej kokën, shoh që ishte nëpunësi Agim Islami, i cili tha: ‘Pse e anuluat testin me shkrim?’ I thashë që s’kam njohuri për anulim. Pastaj filloi me kërcënime duke thënë: ‘Keni me pa ju personeli, pikërisht ti e Bulja që e keni anulu testimin, mos mu mbajt sot.’ Për shkak të këtyre fjalëve të papritura, e marr këtë si kërcënim të hapur dhe kërkoj që të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi”.

Pavarësisht kësaj, në vend që të merren masa ndaj tij, javën e kaluar Agim Islami u emërua ushtrues detyre i Drejtorit të Prokurimit në MPB. Më parë, Islami mbante pozitën e Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit.

Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka kthyer një përgjigje lidhur me këtë situatë, pavarësisht pyetjeve të adresuara për të sqaruar rrethanat dhe masat që planifikon të marrë për këtë rast.

Ky zhvillim ngre dyshime mbi mënyrën se si MPB trajton akuzat serioze dhe rregullsinë e vendimeve të saj administrative.