Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Bota nuk do të jetë e njëjtë që nga sot

Bota nuk do të jetë e njëjtë që nga sot

Shkruan: Afrim Kasolli

Edhe pak qaste na ndajnë nga ceremonia e betimit të presidentit Donald Trump në krye të SHBA-ve. Dhe, po ashtu e largimit nga kjo detyrë e presidentit Joe Biden. Ky i fundit përpos që po e përfundon mandatin si njëri nga liderët më pak popullor në vend, po ashtu është duke parë para syve të tij shembjen e qëllimit kryesor politik në këtë kohë. Ai kishte pretenduar se do të mbahej mend si kryetari që e shpëtoi demokracinë amerikane nga rreziku që e paraqet fenomeni Trump, por po e përfundon mandatin me një rikthim edhe me spektakular të presidentin Trump.

Ndonëse, pritet të shihen më qartë orientimet politike të këtij të fundit, megjithatë tashmë disa linja kryesore janë bërë të njohura. Jo më shumë se para pak dite, i emëruari për Sekretar shtetit, Marco Rubio, para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, e bëri të qartë dyshimin e shtetit të tij ndaj rendit aktual ndërkombëtar. Për më shumë, pohoi Marco Rubio, “rendi global i pasluftës nuk është thjesht i vjetruar; tani është bërë një armë që përdoret kundër nesh”. Prandaj, “vendosja e interesave kryesore kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolim politik. Një politikë e jashtme e përqendruar në interesat tona kombëtare nuk është një relikë e vjetëruar,” por në një farë mënyrë armë e domosdoshme në rrethanat në të cilat po katandiset bota. Ndërkaq, në funksion të këtyre interesave, nuk do përjashtohet as rikthimi i pushtimeve territoriale, sikur se kërcënimi kundër shtetit të Panamasë, nëse kjo e fundit abuzon më Kanalin që e lidh oqeanin Paqësor dhe Atlantik, duke e shndërruar në arterie tregtare kineze, apo integrimin e ishullit të Grenlandës në kuadër të SHBA-ve, i cili aktualisht ndodhet nën administrimin e Mbretërisë së Danimarkës, si dhe thirrjen drejtuar Kanadasë, që të bëhet shteti i 51 i Amerikës.

Në anën tjetër, presidenti Trump, si gjatë fushatës elektorale, ashtu edhe pas fitores së zgjedhjeve e kishte bërë të ditur se synon që ti jap fund luftërave, në botë, me theks të veçantë asaj në Ukrainë dhe Lindje të Mesme. Madje ende pa e marr detyrën, Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për armëpushim. Dhe analistë të ndryshëm në këtë drejtim kanë vënë në pah, se meritat për këtë akord i takojnë atij, sepse i njëjti dokument edhe pse u ishte prezantuar palëve që sa kohë, ai ishte refuzuar. Kurse, sa i përket luftës në Ukrainë tashmë e ka emëruar si të dërguar special Gjeneralin në pension, Keith Kellogg. Bilanci i kësaj nisme diplomatike mbetet të shihet. E si mjet për ta garantuar këtë paqe ai ka propozuar, doktrinën e njohur “paqen nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength). Por këtu nuk duhet harruar as kërcënimin e tij ndaj vendeve të NATOS-së, së nëse nuk i shtojnë shpenzimet e tyre në sferën e mbrojtës ai nuk do ta kishte problem nëse Putini i sulmon ato.

Kurse sa i përket, premtimit të tij për ta bërë, ta bërë Amerikën edhe një herë të fuqishme, Donald Trump, është zotuar për inicimin e një lufte tjetër globale, atë tregtare, si pjesë e strategjisë për t’i ruajtur vendet e punës dhe ringjalljen ekonomike të vendit, si dhe do të ndërmarr veprime rigoroze kundër imigracionit. Në këtë drejtim, ka propozuar se do të imponojë tarifa ndaj mallrave kineze deri në 60 %, por edhe atyre evropiane, deri në 10 e 20 për qind.

Një gjë nuk mund të mohohet se ka ndodhur që nga data 5 nëntor e vitit të kaluar. Fitorja e garës presidenciale nga Donald Trump e ka destabilizuar jo pak edhe skenën politike në shumë shtete tjera. Pak ditë pas këtij rezultati, kolapsoi Qeveria e Gjermanisë se drejtuar nga kancelari Olaf Scholz. Kurse, kryeministri kanadez, Justin Treudeau, pas qëndrimit mbi një dekadë në pushtet e kumtoi lajmin se do të tërhiqet nga kjo pozitë si dhe nga ajo e kryetarit të Partisë Liberale. Ndërkohë, kryeministri britanik, Keir Starmer, i është nënshtruar një fushate agresive mediale kohën e fundit, nëse jo drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, të paktën nga njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, miliarderi Elon Musk. Ky i fundit, e ka akuzuar të parin si “përdhunues të Britanisë” si dhe ka kërkuar zgjedhje të reja të parakohshme në vendin ishullor. Ndërkohë, trazime kanë shkaktuar po ashtu edhe komentet e fundit për partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD. Për Elion Musk-un, vetëm Alternativa për Gjermaninë, mund ta shpëtojë këtë shtet, ku e kanë katandisur politikat e gabuara të partive tradicionale të qendrës, sidomos ato të kancelarit socialdemokrat, Olaf Shcholz.

Ky ndryshim në administratën amerikane pa dyshim se do të ketë implikime edhe për Kosovën. Ditë më parë, ish-diplomati Cmeron Munter, një një në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, kishte pohuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do marrëveshje. Sipas, C.Munter, “qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi]”.

Për këtë arsyeje edhe presidenti Trump, e ka emëruar bashkëpunëtorin e tij, Richard Grenell, si të dërguar për “misione të posaçme” në vatrat e nxehta gjeopolitike. Sic dihet, nwn ndikimin e tij, gjatw mandatit tw parw tw Presidentit Trump ishte arritur marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020. Kurse i njëjti para pak dite, në një prononcim për mediumin Nacionale ka deklaruar se “Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”. /TV Arbëria