Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Miqësia politike e Vetëvendosjes me VLEN-in për “ditë të zeza”

Miqësia politike e Vetëvendosjes me VLEN-in për “ditë të zeza”

Përgatiti: Afrim Kasolli

Të gjithëve na kujtohet mbështetja politike e Qeverisë së Kosovës për koalicionin VLEN, gjatë zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni të Veriut që u mbajtën në vitin e kaluar. Thuajse krejt infrastruktura shtetërore e Kosovës, ishte vënë në dispozicion të atij koalicioni.

Madje edhe pse ai doli humbës në taborin e shqiptarëve në raport me Frontin Evropian, të pirë nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përsëri kryeministri Kurti, herë në mënyrë të heshtur e herë të hapur, e kishte inkurajuar koalicionin qeveritar ndërmjet VLEN-it dhe partisë fituese të zgjedhjeve në kampin maqedonas VMRO-DPMNE, edhe pse të njëjtën jo shumë kohë më parë, e konsideronte si një subjekt që lideri serb, Aleksandër Vuciq e ka në grusht.

Ndërkohë, prej se këta partnerë kanë ardhur në pushtet, kryeministri Kurti ka qene tejet i heshtur me shumë zhvillime prapathyese që kanë ndodhur në raport me shqiptarët. Ai nuk e ka ngritur zërin për asnjë çast, fillimisht për inicimin e arrestimit të ish-ushtarëve të UCK-së, sipas fletëarresteve të lëshuara nga Serbia, si dhe për shfuqizimin e balancuesit, një mekanizëm ky që e rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore.

Po ashtu, është treguar tolerant edhe ndaj përpjekjeve për të shfuqizuar nene të ligjit mbi gjuhët, ku preket drejtpërdrejtë statusi i gjuhës shqipe sidomos në procedurat gjyqësore.

Madje i njëjti kishte kërkuar që t’i besohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, për këtë çështje gjatë pritjes për kryeministrin e këtij shteti në Prishtinë, Hristijan Mickoskit, pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive.

Ndërkohë, gjatë vizitës së mëhershme të tij në Shkup, Kurti, thuajse e pat injoruar skandalin që kishte ndodhur më Presidenten Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të këtij shteti. E të mos flasim për shpërfilljen cinike ndaj emërtimit të shtetit të Kosovës si “Kosovo i Metohi, nga zv. kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilokoviq.

Mirëpo, kjo miqësi politike më këto parti në këtë shtet dhe veçanërisht me koalicionin VLEN ka filluar t’i përkthehet në mbështetje “elektorale” kryeministrit të Kosovës. I ndodhur nën një presion nga aftësia e partive opozitare për të organizuar tubime masive me qytetarë në shumë qendra të Kosovës, si duket njëri nga subjektet e koalicionit, Lëvizja Besa, ka filluar t’i ofrojë shpëtim Albin Kurtit të paktën për t’i krijuar percepcion publik, mbi mbështetjen që e gëzon Lëvizja Vetëvendosja.

Kështu, para pak dite, kishte qarkulluar një mesazh nga Grupi për Informim i partisë së Billal Kasëmit, ku kërkohej mobilizimi i anëtarëve të saj për aq sa kanë mundësi që të jene pjesë e tubimit elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje në qytetin e Ferizajt. Edhe pse të njëjtit, nuk kanë të drejtë vote në Republikën e Kosovës, por ta paktën me këtë gjest mund ta plotësojnë nevojën për imazh të partisë në pushtet. Është si duket kjo një miqësi politike ndërmjet këtyre dy subjekteve që po tregohet efektive për “ditë të zeza”. /TV Arbëria