Policia e Kosovës ka realizuar një operacion, ku të përfunduar kanë mbetur tre inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Gjakovë.
Insajderi raporton se të arrestuarit janë: Afrim Gjoka, Dukagjin Nika dhe Elhami Qorkadiu, inspektorë të ATK’së. Të tre u arrestuan nën dyshimin për pranim ryshfeti.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, sot kanë zhvilluar një aksion në Gjakovë.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për marrje të ryshfetit.
Policia kishte pranuar informatën se tre të dyshuarit në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”Marrja e Ryshfetit’’ neni 421 i KPRK-së.
“Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka ndërmarr veprime hetimore, duke zbatuar edhe masat të avancuara hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit meshkuj kosovarë, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo personin tjetër, dyshohet se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash në disa raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronaret e bizneseve të ndryshëm në komunën e Gjakovës”, thuhet në njoftim.
Më tutje në njoftim thuhet se sot me urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
Gjatë kontrollit janë sekuestruara dëshmitë si në vijim: para të gatshme 11600 Euro, katër telefona mobil , një IPOD, një pasaportë e Republikës se Shqipërisë dhe një letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë.
“Tre të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistës me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.