Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidentja Osmani nuk tregon nëse ka marrë ftesë për pjesëmarrje në inaugurimin e Trump

Kthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidentja Osmani nuk tregon nëse ka marrë ftesë për pjesëmarrje në inaugurimin e Trump

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka treguar se a ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të 47-të amerikan, Donald Trump.

E pyetur nga gazetarët nëse ka marrë një ftesë për inaugurim, e para e vendit tha se përgjigja për këtë pyetje do të kthehet përmes emailit.

Presidentja Osmani pati rastin të takohej me Trumpin në dhjetor, derisa po merrte pjesë në ceremoninë e rihapjes së katedrales Notre Dame. Osmani teksa publikoi pamje nga biseda që ka pasur me presidentin e ardhshëm amerikan, ka thënë se në emër të popullit të Kosovës e ka përgëzuar Trumpin për fitoren e tij.

“Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, pati shkruar Osmani.

Ceremonia do të zhvillohet në Uashington DC dhe shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Bideni te Trumpi, i cili po kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, pas një shkëputje që e pati për një mandat, ku në krye të SHBA-së qëndroi Biden.

Inaugurimet priren të jenë çështje tradicionale, një rit i rëndësishëm demokratik, por krerët e shteteve dhe qeverive zakonisht nuk përfshihen.

Trump, natyrisht, nuk është i tillë për traditë. Ai ka ftuar shumë nga liderët e huaj me të cilët ka folur me telefon ose i ka mirëpritur personalisht në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, si presidenti argjentinas Javier Milei dhe presidenti kinez Xi Jinping.

Në krye të listës së të ftuarve janë liderë si kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Milei, që fitoi presidencën e Argjentinës në vitin 2023. I ftuar gjithashtu u raportua të jetë kryeministri hungarez Viktor Orbban.

Von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, nuk ka marrë ftesë, siç konfirmoi zëdhënësi i saj.