Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke e kritikuar për veprimet dhe qeverisjen e tij. Haradinaj e akuzon Kurtin se, me veprimin e tij të pjekjes së mishit, duket se po kërkon një pozicion të ri pas zgjedhjeve, ndërsa shprehu dyshimet për aftësitë e tij udhëheqëse. Ai theksoi se gjatë qeverisjes, Kurti nuk ka realizuar projekte të rëndësishme për vendin dhe se ka shpërdoruar mundësitë për zhvillimin e Kosovës.
“Kurti me veprimin e tij, duke pjekur mish, duket se po mendon për një pozicion të ri pas zgjedhjeve. Shpresoj që atje të gjejë veten, pasi në qeverisje nuk ka dëshmuar se di të bëjë gjëra të dobishme. Sa i përket këndimit të Nagavcit, tubimet elektorale nuk janë më për të kënduar. Shfrenimi dhe mungesa e arsyejes për të dalë para popullit dhe për t’i raportuar këto zgjedhje pas katër vjetësh është një shenjë e devijimit të thellë’’
Haradinaj gjithashtu kritikoi Kurtin për mungesën e një programi të qartë dhe të matshëm. Ai vuri në dukje se, pavarësisht buxhetit prej 30 miliardë euro, Kurti nuk ka arritur të prezantojë asnjë projekt që mund të ketë impakt të dukshëm për qytetarët. Haradinaj përmendi projekte të realizuara nga qeveritë e kaluara, si ndërtimi i rrugëve dhe rikthimi i Mitrovicës, të cilat, sipas tij, janë më të rëndësishme sesa veprimet simbolike të Kryeministrit të tanishëm.
‘’Nuk është problemi që këndon, problemi është që ai ka qeverisur me një mazhorancë absolute dhe ka pasur një buxhet prej 30 miliardë euro, por nuk ka një projekt të vetëm që mund t’i prezantojë opinionit publik. Qeveritë e kaluara, për shembull, kanë realizuar projekte si 4 trasha rrugësh nga Malisheva deri në Tiranë, për të shkuar në Shkup, dhe rikthimi i Mitrovicës, pavarësisht se ai është shirituar, ka nisur në kohën e Qeverisë Haradinaj’’
Për më tepër, Haradinaj kritikoi qeverinë e Kurtit për sjelljen e saj ndaj opozitës, duke theksuar se është hera e parë që një qeveri sulmon opozitën në këtë mënyrë. Ai e konsideroi këtë një shenjë të humbjes së drejtimit dhe të politikës të gabuar.
‘’Ata do të vazhdojnë të pjekin qebapa, të këndojnë dhe të ofendojnë kundërshtarët, sepse është hera e parë në histori që qeveria sulmon opozitën. Po shihet qartë se kanë humbur rrugën dhe nuk dinë as ku janë.”
Në lidhje me mungesën e Kurtit në Hagë, Haradinaj tha se Kryeministri nuk ka çfarë të kërkojë aty, dhe se duhet të përqendrohet në kthimin e tij në Kosovë për të adresuar sfidat e brendshme. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë për dështimin e saj në sigurimin e lirisë dhe garancive për qytetarët, duke i vënë në dukje përpjekjet e vendeve si Kroacia dhe Shqipëria për të siguruar mbrojtjen e shtetasve të tyre.
‘’Mungesa e Kurtit në Hagë për vizitë nuk ka çfarë të kërkojë. Besoj se ai ka kontribuar me ekipin e tij për t’i dërguar ata, por tani duhet të punojë për t’u kthyer në Kosovë sa më shpejt. Kjo qeveri po tregon se nuk ka mundur të garantojë lirinë e qytetarëve të saj me masa shtrënguese. Kroacia dhe Shqipëria kanë garantuar sigurinë e tyre, ndërsa shteti ynë nuk ka qenë në gjendje të shkruajë katër rreshta për të dhënë një garancë, dhe kjo është e pafalshme’’
Haradinaj përfundoi se vendimet e Kurtit, si heqja e taksës ndaj Serbisë dhe anulimi i projekteve të rëndësishme, kanë dëmtuar rëndë Kosovën dhe kanë prishur raporte të rëndësishme me SHBA-në dhe Shqipërinë.
‘’Kjo është edhe një përgjegjësi kushtetuese, pasi ata janë qytetarë të Kosovës. Shikimi i vlerave të luftës dhe rreshtimi pas ish-Jugosllavisë dhe VV-së është turp. Mashtimet që ne nuk ulemi me Serbinë pa kthyer eshtrat e të zhdukurve dhe pa kërkuar falje, heqja e taksës kufitare, falja e tregut ekonomik Serbisë me 1 miliard euro që e paguajmë për energjinë dhe anulimi i projektit amerikan, prishja e raporteve me SHBA-në dhe Shqipërinë, janë vendime që kanë dëmtuar rëndë Kosovën’’. /TV Arbëria