Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Tjetërsimi i idesë së referendumit nga partia në pushtet

Tjetërsimi i idesë së referendumit nga partia në pushtet

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti gjatë tubimeve me qytetarë në Kaçanik dhe Han te Elezit, ka deklaruar “se 9 shkurti është një lloj referendumi, edhe gjykim për çka qeveria e tij ka bërë në pushtet gjatë këtyre katër vjetëve. Sipas tij, tash duhet të marrim leje prej popullit për t’i vazhduar ato punë që i kemi filluar gjatë këtij mandate, por edhe për të nisur të tjera.

Ndërkaq, ka kohë që mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke i asociuar zgjedhjet e 9 shkurtit më idenë e referendumit. Pas fitores së Presidentit Trump, po ashtu disa nga ta patën deklaruar se këto zgjedhje duhet të kenë karakter plebishitar rreth figurës së Albin Kurtit, për t’u mbrojtur nga rreziqet që mund t’i kanosen Kosovës nga administrata e re amerikane.

Këtu duhet kujtuar se Lëvizja Vetëvendosje ndër vite ka avokuar për idenë e instalimit të refundimit si një mekanizëm që e kuptimëson demokracinë e drejtpërdrejtë, përkundër asaj përfaqësuese.

Madje ky entitet kishte premtuar se me të marrë pushtetin do miratonte ligjin që e mundëson jetësimin e këtij projekti. Sepse sipas saj “qytetari duhet të thotë fjalën e tij sa herë janë në pyetje interesat e tij, ai nuk mund të pres edhe katër vite që të shprehet për një problem që ndodh sot”. Për më shumë “asnjë subjekt politik nuk mund ta përfaqësoj popullin, sepse ky i fundit përfaqësohet vetëm përmes referendumit”. Kjo edhe ishte arsyeja që Lëvizja Vetëvendosje ndër vite i kishte sulmuar si Planin e Ahtisarit, simbolet shtetërore etj, sepse asnjëri nga këto nuk e kishte kaluar këtë hallkë të domosdoshme të demokracisë fundamanetale.

Mirëpo, për këto 4 vite që Lëvizja Vetëvendosje që është në pushtet projekti i refundimi ishte lënë në harresë, për t’u ringjallur si fantazmë elektorale vetëm tash me rastin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pra shndërrimin i tij në simulim dhe karikaturë të referendumit të vërtetë, diçka që qëndron në antinomi se pse kjo Lëvizje kishte avokuar për këtë mekanizëm. Pasi, sipas saj, qytetarët nuk mund të presin një herë në katër vjet për ta thënë fjalën e tyre. Por siç duket në pamundësi për ta realizuar edhe këtë premtim, atëherë Lëvizja Vetënedosje ka vendosur ta tjetërsojë edhe këtë ide nga mekanizëm të demokracisë së drejtpërdrejt në atë përfaqësuese. Dhe se me fitoren e Albin Kurtit, tashmë nuk ka nevojë për të parën, pasi tash e dhe populli e përfaqëson vetën, e nuk ka nevojë për forma tjera të artikulimit politik qytetar. /TV Arbëria