Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mohimi i demokracisë nga perspektiva e fuqisë

Mohimi i demokracisë nga perspektiva e fuqisë

Shkruan: Afrim Kasolli

Me fillimin e fushatës zgjedhore partia në pushtet është dalluar me një strategji të çuditshme elektorale. Taktikisht ajo deri më tani ka vendosur t’i refuzojë debatet në disa nga mediat vendore si dhe të mos prezantojë asnjë program qeverisës për periudhën 2025-2025. Sa do të tregohet efektive kjo qasje mbetet të shihet. Mirëpo, justifikimi i veprimeve të tilla qëndron një antinomi me parimet e një rendi demokratik.

Pretendimi, se pushteti nuk e sheh të arsyeshme të ulet në studiot e oligarkëve me argumentin se ai e konsideron Kuvendin e Kosovës si medium të duhur për debat politik është i paqëndrueshëm dhe bie në kundërshtim me vet sjelljet e të parit. Kështu, siç kanë dëshmuar organizatat që merren me monitorimin e punës së këtij institucioni është pikërisht partia në pushtet që më së shumti e ka shpërfillur punën e Kuvendit. Sipas KDI-së, gjatë këtij mandati, sa i përket partive shqiptare, “Lëvizja Vetëvendosje munguar në 27 për qind të kohës apo ka bërë 1361 mungesa, duke u pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 16 për qind apo 795 mungesa, Lidhja Demokratike Kosovës, 14 për qind, apo 729 mungesa dhe AAk me 5 për qind apo 256 mungesa”. Pra këto të dhëna tregojnë se kjo parti nuk është se kjo parti nuk ka ikur edhe nga ajo formë e angazhimit politik dhe publik për të cilën edhe është mandatar, e të cilën tash pas skadimit të mandatit e mbron.

Prandaj, kjo qasje refuzuese, kur krahasohet, me retorikën e kryeministrit Kurti, ndaj partive rivale, duke i krahasuar edhe me miza, që po e bezdisin popullin, por që ky i fundit do t’ua tregojë vendin shumë shpejt, më shumë është e motivuar nga ndjenja e suporitetit të fuqisë.

Mirëpo, kjo mendësi i cenon pikërisht kushtet ideale të substratit demokratik. Sepse siç ka vënë në dukje, filozofi i njohur gjerman, Jurgen Habermas, asnjë demokraci nuk mund të funksionojë pa një disktum racional të të gjithë atyre që marrin pjesë në një shoqëri. Sipas këtij mendimtari të teorive të komunikimit, “diskursi duhet të jetë vazhdimisht i hapur, si ndaj argumenteve të të tjerëve, ashtu edhe ndaj kundërargumenteve, si për pyetje, ashtu edhe për përgjigje. Po ashtu, të gjithë pjesëmarrësit duhet te kenë mundësi të barabarta për të parashtruar hipotezat dhe interpretimet e tyre, për të bërë pohime, për të dhënë shpjegime si dhe për mundësi për të problematizuar apo sfiduar vlefshmërinë e këtyre interpretimeve, përmes argumenteve pro dhe kundër tyre. E treta, pjesëmarrësit në një diskurs duhet të shprehin në mënyrë të barabartë qëndrimet, ndjenjat, dëshirat e tyre, duke qenë të ndershëm dhe transparentë me njëri-tjetrin. Dhe e katërta, ata që participojnë në një diskutim duhet të kenë mundësi të barabarta për të premtuar dhe për të refuzuar, për të justifikuar sjelljet e tyre dhe për të kërkuar justifikim për sjelljet e të tjerëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet “reciprociteti i veprimit dhe pritshmërisë”. Natyrisht, sipas këtij teoricieni , ekzistojnë edhe mënyra tjera për t’i sheshuar këto kontestime, sikurse duke u thirrur në një autoritet të jashtëm, në traditë, apo në përdorimin brutal të forcës. Por këto të fundit nuk kanë të bëjnë asgjë me demokracinë si medium i diskutimit racional.

Përfundimisht, pushteti aktual është përcaktuar strategjikisht për një qasje monologjike në sigurimin e mbështetjes qytetare dhe në kundërshtim më frymën e domosdoshme demokratike. E ku mjafton vetëm autoriteti i jashtëm i Albin Kurti si kriter politik për ta votuar partinë e tij. /TV Arbëria