Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje ka mbajtur një tubim me qytetarët në qytetin e Pejës.
Kurti u komentua shumë për qasjen e tij ndaj opozitës.
Deklarata e Kurtit, e cila bëri bujë, ishte ajo ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku bëri një krahasim mjaft të çuditshëm, duke i quajtur “miza”.
“Kur na rastit të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LDK që thotë se po i pëlqen populli dhe ka simpati për ta, kjo më përngjan asaj mizës që thoshte kudo po shkoj, po më presin me duartrokitje. Pra, kur ata thonë që populli është si ajo miza që lavdohet, se njerëzit po e presin me duartrokitje, e ju e dini shumë mirë se me ato duar që duatrokasin, çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, tha Kurti në fjalimin e tij.
Gjatë pjesës më të madhe të fjalimit, Kurti foli me gjuhë thumbuese ndaj opozitës, duke thënë se “opozita vendos rekorde në analistë të studiove televizive”.
“Ne vendosim rekorde në fusha të jetës e të punës, opozita vendos rekorde në analistë të studiove televizive. Ne veprimtarë, ata analistë. Ne në frymë e në fakte, ata në rrena e shpifje. Një nga rekordet më domethënëse është se ne e ngritëm numrin e të punësuarve në vendin tonë, andaj le ta thyejmë edhe këtë rekord më 9 shkurt dhe ta thyejmë rekordin në punësim”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se “të dashur pejanë, nuk kemi thyer rekord vetëm ne, rekord ka thyer edhe opozita në borxhin ndaj bizneseve të Kosovës dhe me deficitin buxhetor që na e la trashëgim”.
“Me mbi 500 mijë zemra që thurin vargun e fitores së numrit 118, le ta thyejmë rekordin edhe në punësim me mbi gjysmë milioni qytetarë të Republikës që punojnë për familjet e tyre, për atdheun e tyre, për mirëqenien e secilit. Të dashur pejanë, nuk kemi thyer rekord vetëm ne, rekord ka thyer edhe opozita në borxhin ndaj bizneseve të Kosovës dhe me deficitin buxhetor që na e la trashëgim”, tha Kurti.
“E dashura Pejë, kjo mikpritje kaq e zjarrtë ma mbush zemrën me gëzim e mendjen me përgjegjësi. Faleminderit shumë. Faleminderit për sonte, faleminderit për secilën ditë, për secilën javë, për çdo muaj, përgjatë këtyre shumë viteve që na keni mbështetur pa rezervë, pa kursim, pa pushim në të gjitha stuhitë dhe krizat që i kemi kaluar si Qeveri e Republikës dhe si Lëvizje Vetëvendosje.
Peja jonë dhe Peja juaj është qytet i bukur me njerëz që i njohin bukuritë, është qytet i bjeshkëve dhe i lumit, është qytet i xeheve dhe i artit, është qytet ku prehen eshtrat e Haxhi Zekës e të Ali Pashë Gucisë, është qytet i zemrës, i besës dhe i shqiponjave”, tha ndër të tjera Kurti gjatë tubimit. /TV Arbëria