Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po e imiton PDK-ja Albin Kurtin në politikën e Jashtme, para se ky i fundit të hynte në institucione?

Si po e imiton PDK-ja Albin Kurtin në politikën e Jashtme, para se ky i fundit të hynte në institucione?

Shkruan: Afrim Kasolli

Se partitë politike opozitare ndodhen në një situatë të paqartë sa i përket politikës së jashtme e dëshmon (mos)strategjia dhe premtimet e tyre se çka do të bënin nëse hipotetikisht do ta drejtonin qeverinë në mandatin 2025-2029.

Kështu, Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Enver Hoxhaj, është zotuar se synon ta rikthejë procesin e njohjeve. Sipas ish-diplomatit të Kosovës, kjo parti ka një plan konkret për t’i identifikuar ato shtete që nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe se me anë të lobimit do t’i bind të ndërrojnë mendje. Sepse, ky “proces është jetik për anëtarësimin e Kosovës në OKB, sidomos kur dihet se kjo organizatë i ka 193 shtete dhe nevojitet sigurimi i 2\3 të votave, pra mbi 130 njohje me qëllim që të mundësohej përmbyllja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

Mirëpo, si në këtë adresim, ashtu edhe programin qeverisës të kësaj partie nuk tregohet se si do sillet ky subjekt në raport me detyrimet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës veçanërisht me Marrëveshjen bazike të Brukselit. Dhe tashmë ky dokument dhe ato shoqëruese të tij, janë obligim ndërkombëtar i shtetit të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës.

Prandaj pretendimi se Kosova mund ta zhbllokojë si agjendën integruese dhe ngërçin ndërkombëtar ku gjendet aktualisht, duke i shmangur këto tema, nuk është asgjë tjetër pos fillim i imtimit të nivelit politik, të Albin Kurtit, para se të futej në institucione. Sepse edhe ky i fundit, asokohe pohonte se Kosova mund të siguronte njohje ndërkombëtare edhe duke e shmangur zbatimin e obligimeve që buronin nga Plani i Ahtisarit.

Këtu nuk duhet harruar se edhe disa shtete mos-njohëse, veçanërisht ato nga Bashkimi Evropian, janë në pritje të një Marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për t’u pajtuar edhe ato me pavarësinë e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja se pse që mbi një dekadë organizohet procesi i dialogut në Bruksel, që disa herë veçanërisht përfaqësues nga Uashingtoni e kanë thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke. Kurse shtete të botës tretë më shume se nga këto konsiderata, qëndrimin tyre e kanë të bazuar nga zemërimi kundër Amerikës.

Po ashtu, është manipulim të thuhet se Kosova mund të anëtarësohet në OKB pa pajtimin e Rusisë dhe Kinës. Sepse siç dihet ka shumë shtete tjera që janë vende anëtare të kësaj organizate, por që kanë më pak njohje individuale shtetërore sesa Kosova, mirëpo nuk janë peng i kësaj bllokade globale gjeopolitike.

Të gjithëve na kujtohet se si pas përfundimit të negociatave në Vjenë, u bënë përpjekje që Plani i Ahtisarit të dërgohet për votim në Këshill të Sigurimit, mirëpo pamundësia për ta bindur Moskën e detyroi Uashingtonit që në fund të tërhiqet. Kurse në mungesë të një mundësie tjetër, pas konfirmimit nga GJND-ja për legalitetin e shpalljes së pavarësisë Perëndimi u pajtua për fillimin e procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Brukseli, sipas rezolutës së Asamblesë së OKB. Proces ky që po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ndërkohë, vetë Presidenti Putin në një intervistë para pak kohe më gazetarin kontrovers amerikan, Tucker Carlson, ka pohuar se me Perëndimin mund të merret vesh për Kosovën nëse merren në konsideratë edhe pretendimet e tij gjeopolitike. Deklarim ky që e alarmoi presidentin serb Vuciq, i cila pak ditë më vonë pohoi se Serbia për çështjen e Kosovës në mënyrë të sigurt mund të mbështet vetëm te Kina, pasi edhe kjo e fundit gjen mirëkuptim te Beogradi për Tajvanin. Sidoqoftë, aranzhmane të tilla i tejkalojnë potencialet diplomatike të shtetit të Kosovës. Në fund të fundit nuk është e rastësishme që njohja e fundit për Kosovën u sigurua me Marrëveshjen e Uashingtonit, por edhe në saje te saj u ndal procesi agresiv i çnohjeve kundër Kosovës të iniciuar nga Beogradi. Marrëveshje kjo nuk ishte pranuar as nga PDK-ja.

Përfundimisht, manipulimi me tema të tilla mund të krijojë favore momentale elektorale, por ai nuk përfaqëson asnjë alternativë mbi paqartësitë diplomatike në të cilat ndodhet Kosova. /TV Arbëria