Shkruan: Afrim Kasolli
Ndarja e jetës politike të Kosovës në dy taborre kryesore , pra në patriotë dhe tradhtarë, nga Albin Kurti, nuk është tipar vetëm i kësaj fushate elektorale. Ai këtë qasje e ka përdorur prej se është aktiv në këtë sferë.
Për të kushdo që nuk ka qenë në anën e tij, i ka takuar drejtimit të kundërt të historisë. Se ai paraqet krahun idealist të luftës kundër atij materialist, apo se “Lëvizja e tij kombëtare”, është në një betejë epike “kundër krahut të zuzarëve” ka qenë një fjalor i kahershëm i tij. E këtu nuk duhet harruar faktin se pikërisht kjo retorikë i ka krijuar jo pak përftime politike në karrierën e tij. Për më shumë, Albin Kurti është ngritur në lartësitë e Olimpit Politik vetëm fal saj, pa ndonjë kontribut tjetër.
Natyrisht, as nuk e ka pasur problem që ata që fillimisht i ka kualifikuar si mëkatarë, posa i janë subordinuar atij, me automatizim ta fitojnë shfajësimin. Por mjerisht, as ata që Albin Kurti i ka etiketuar si të tillë, nuk kanë pasur telashe t’i harrojnë fyerjet e tij ndaj tyre e të bashkëpunojnë më të, kur e kanë diktuar interesat e tyre. Dhe kjo vorbull e ngjarjeve nuk është se nuk ka qenë profitabile për të. Madje pa ndihmën e këtyre të fundit, as lideri i Vetëvendosjes nuk do të ishte këtu që është. Të gjithëve na kujtohet ndihma e PDK-së për zgjedhjet lokale në Prishtinë për Vetëvendosjen. Apo fronti i përbashkët ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kundër Partisë Demokratike të Kosovës, në vitin 2014. Si dhe më vonë aleanca opozitare e këtyre tri të fundit, pasi LDK-ja vendosi të shkoi në bashkëqeverisje me PDK-në. E duke mos përjashtuar as koalicionin jetëshkurtër qeveritar ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK në gjatë mandatit Kurti 1.
Prandaj, shfaqja e mbrëmshme në një tubim elektoral në Mitrovicë nuk ishte devijim nga norma. Përkundrazi, me një çjerrje më të madhe, ajo ishte vetëm manifestim i origjinës.
Sidoqoftë, dallimi i vetëm në raport me proceset tjera elektorale, qëndron në faktin, se krahas kësaj ndarje, ai kishte ofruar edhe program politik, (pavarësisht se mund t’i bëheshin vërejtje cilësisë së tij). Madje, këtë të fundit e kishte glorifikuar si një lloj testamenti të shenjtë politik, pra në lloj “bible” në raport me ato të partive tjera. Dhe pikërisht në mungesë të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, Albin Kurti, është përcaktuar ta përdor kryesisht retorikën e hynjëzimit të vetvetes si më i miri, më i drejti dhe më i dituri, në raport me oponentët tij. Pra që krejt betejën politike ta zhvendos në kacafytje lideriste, terren ky, ku ai pretendon se ka një përparësi “morale” në raport me drejtuesit tjerë politikë.
Ndërkohë, kjo qasje nuk është se nuk është “racionale” në rrethanat tona. Ndonëse, nuk mund të merret si qëndrim reprezentativ shoqëror, megjithatë siç ka vënë në pah Studimi mbi Rininë (2024) i realizuar nga FES, shumica e të rinjve“e kanë pranuar se më me gjasë do të votojnë duke u bazuar në liderin e partisë (rreth 28 %), në krahasim me ideologjinë e partisë, programin zgjedhor të partisë ose koordinimin me familjen dhe miqtë – këto tri përgjigje të ndryshme kapin shifrën rreth 19 %.”
Përfundimisht, duke marr parasysh këtë substrat socio-politik, duket që Albin Kurti ka vendosur ta kërkojë mbështetjen qytetare mbi imazhin e tij personal dhe shndërrimin në “program të vetëm politik” demonizimin e oponentëve të tij . Sa do të ketë sukses kjo qasje mbetet të shihet? Mirëpo, nëse dështon, ajo do të shënonte edhe fillimin e fundit të kësaj partie politike. Sepse për shkak të strukturës së brendshme të pushtetit, kjo Lëvizje nuk do të mund te ketë shans tjetër pas bjerrjes se së autoritetit politik të Albin Kurtit. Dhe pikërisht nga apetiti për përfitime afatshkurtra personale, lideri i Vetëvendosjes është duke e shtruar rrugën e humbjes së pashmangshme afatgjatë. /TV Arbëria