Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka na mëson Nietzsche për fushatën elektorale të partisë në pushtet?

Çka na mëson Nietzsche për fushatën elektorale të partisë në pushtet?

Shkruan: Afrim Kasolli

Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, kryeministri Kurti e ka përsëritur atë që tashmë e ka shndërruar që një kohë të gjatë në qëllim të luftës së tij për pushtet, kërkimin e votës popullore në këto zgjedhje, kundër atyre që nuk janë pjesë e garës elektorale. Pra kryesisht kundër përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Natyrisht, duke mos përjashtuar kohë pas kohe edhe sulmet ndaj mediave.

Prandaj, nuk është e rastësishme që ky subjekt politik deri më tani nuk ka prezantuar as edhe program qeverisës. Sepse sipas drejtueseve të tij, pamundësia për ta realizuar atë që aktualisht është në fuqi, ishte pasoje e komplotit të organizuar nga ky sistem. Kështu, nuk ka mjaftuar vetëm fitorja elektorale ndaj partive opozitare, për aq kohë sa trashëgimia e tyre jeton në kapilarët e sistemit. Në botëkuptimin e Kurtit, kauza e drejtë e tij dhe Lëvizjes qe e përfaqëson, është verifikuar në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, mirëpo armiqtë brendshëm e të jashtëm nga frika e suksesit të tij, e kanë luftuar atë më çdo mjet. Janë të njohura rastet, kur si ai, por ashtu edhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi i bënin thirrje Gjykatës Kushtetuese që të bëhet pjesë e zgjedhjeve. Sulme që i ka përsëritur edhe dje.

Strategjikisht, kjo qasje tregon se kjo parti politike nuk hynë në këto zgjedhje nga motivi “për”, diçka, por vetëm “kundër” dickaje. Dhe në këtë fushatë në masë të madhe këtë stafisfaksion armiqësor është duke e gjetur në fushatën kundër sistemit të drejtësisë. Ky i fundit është e kuptueshme që nuk është ideal. Dhe ka arsyeje për kritika dhe përmirësim. Mirëpo, ajo për të cilën është duke u sulmuar nga pushteti, nuk ka të bëjë me nevojën për ta avancuar atë. Por për ta kontrolluar në mënyrë që në fund të mos mbetet asnjë instancë tjetër jashtë konceptit të drejtësisë popullore që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje.

Operimi mbi këtë formulë, tregon më mirë se asgjë tjetër, që partia në pushtet edhe pas katër viteve të qeverisjes nuk është çliruar nga doktrina e “negativitetit të zbrazët”. Madje, këtë e ka pasqyruar edhe vetë lideri i saj, në një debat të inskenuar, kur ka pohuar se nuk mund të “jetojë pa armiqësi dhe se po nuk e sulmuan ai rrëzohet”. Ndërkohë, në shikim të parë kjo qasje e krijon përshtypjen për rolin e tij, si atë të një lideri që përfaqëson frymën e revoltës autentike dhe hap horizonte të reja të lirisë.

Mirëpo, siç ka pohuar filozofi i njohur gjerman, Friedrich Nietzsche, në veprën “On the Genealogy of Morality”, saktësisht mund të jetë e kundërta. Sipas këtij mendimtari, reagime të tilla i takojnë revoltës së skllavit. Kjo e fundit ushqehet nga ndenja e hakmarrjes imagjinare. Derisa moraliteti fisnik zhvillohet nga një afirmim triumfues i vetes, morali i skllavit që në fillim thotë JO ndaj asaj që është “jashtë,” që është “ndryshe,” që është “jo vetvetja”. Për këtë arsyeje, morali i skllavit për të ekzistuar, gjithmonë ka nevojë për një botë të huaj armiqësore. Ai ka nevojë, nga ana fiziologjike, për stimuj të jashtëm për të vepruar, prandaj edhe veprimi i tij është vetëm reagim”

Është ky substrat psiko-social që si duket është duke e ushqyer liderin e Lëvizjes Vetëvendosje edhe këtë fushatë me qëllim që ta kanalizojë mbështetjen ndaj tij vetëm në terma reaktivë. Sepse, kjo është një mënyrë ideale për t’u çliruar nga përgjegjësia dhe mos llogaridhënia për premtimet e pambajtura. /TV Arbëria