Nga Shenoll Muharremi
LDK është në proces të reformimit dhe ka arritur përparime periudhën e fundit. Kjo parti tradicionale ka një rol të rëndësishëm në sistemin politik të Kosovës. Kryetari i saj e ka përkrahjen dhe është personi i duhur, si dhe duhet të vazhdojë të drejtojë partinë, pavarësisht rezultateve në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por kjo nuk nënkupton që kjo parti nuk ka disa parakushte dhe standarde nga të cilat vlerësohet. E as fakti që është në opozitë nuk nënkupton që me automatizëm është alternativë e pushtetit aktual. Standardet për ekipet e reja të LDK janë rigoroze, ndoshta më të ashpra se për Albin Kurti dhe LVV. Ka kuadro të shkolluar mirë dhe me eksperiencë. Nuk ka justifikime. A i ka bërë detyrat e shtëpisë për zgjedhjet e 9 shkurtit?
1. Fotografi e posterë projektesh me AI! Përdorimi i AI është i rëndësishëm, por kjo nuk nënkupton se duhet të përdoret për propagandë dhe mashtrim. Ato fotografi të projekteve që janë prezantuar nga LDK nuk janë reale dhe asnjëra prej tyre nuk do të ndodhin ashtu si paraqiten në fushatë.
LDK duhet të prezantojë projektet e saja reale për Kosovën. Më mirë dhe e ndershme është të prezantojë një projekt real dhe të plotë e funksional sesa 100 projekte që nuk janë reale. Duhet projekte të zhvilluara nga njerëzit me specifika të sakta. Mos të harrojmë që në pushtet, në komunën e Prishtinës, LDK me para të tatimpaguesve paguan më shumë se 10 milionë euro për arkitektët, por për fushatë me resurset e saja i zhvillon projektet me AI, me ndoshta 100 euro abonime.
Normal që mund të përdorësh asistencë të AI, por jo për t’i bërë apo të duken shumë të mira. Cila është vlera e atyre projekteve nëse asnjëherë nuk do të duket ashtu? Kjo për shkak se për secilin duhet zgjidhje specifike sipas kontekstit, buxhetit, kushteve dhe shumë specifikave lokale. Rrjedhimisht, ato fotografi janë mashtrim në këtë formë çfarë po prezantohen. LDK duhet të korrigjojë këtë element të fushatës.
2. Ekonomia. LDK po propozon rritje ekonomike 4%-5% dhe buxhet ‘rekord’ deri në 13 miliardë euro. Kjo është ironike, për shkak se Kosova edhe pa LDK fare, ose edhe me një qeveri me 3 persona, do të arrijë një rritje të tillë me automatizëm.
LVV, e cila është parti e majtë dhe shpenzon me miliarda në politika të majta dhe ndihma sociale, e ka arritur një rritje të tillë. LDK duhet të jetë më konkrete dhe ambicioze. Të tregojë çka ajo mund të bëjë më shumë se kaq. Më shumë se diçka që do të ndodhë sikur edhe mos të ekzistonte kjo dhe asnjë parti në Kosovë.
Gjatë 2025 Kosova do të kalojë rritjen prej 11 miliardë dhe deri në fund të mandatit të ardhshëm ndoshta do të arrijë 14 miliardë ekonomia e Kosovës. Çka po ofron LDK me 13 miliardë? A i ka bërë mirë llogaritë kjo parti? Duket që këtu ka ende punë për të bërë dhe për një parti që i thotë vetes ‘parti e ekonomistëve’ duhet shumë më mirë, tepër më kredibile. Resurset janë aty brenda në parti, por jo edhe rezultatet ende.
Sfida e deficitit tregtar të lartë ende nuk është zgjidhur nga LDK. Ata ende nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje konkrete për problemin më të theksuar të ekonomisë. Si do t’i bëjnë konkurruese bizneset vendore? Si do të zëvendësojnë importin kronik? Kjo parti duhet me shifra konkrete të na tregojë secilin vit ndryshimet pozitive në këtë aspekt dhe si do t’i arrijë ato.
Tregu i Punës nuk është adresuar në aspekt që të elaborohet si progresivisht do të reformohet për të ndihmuar ekonominë. Sidomos nuk është treguar me 450,000 gra çka do të bëhet. Normal që janë të identifikuara si sfida, por jo edhe zgjidhjet me shifra dhe veprime konkrete. Pse mos të paraqitet zgjidhja kur është aq e rëndësishme?
Energjia gjithashtu nuk ka një qasje dhe zgjidhje gjithëpërfshirëse. Sinjalizohen veprime individuale, por jo edhe një koncept që na bind se këto sfida do të zgjidhen. Nëse investon në energji me gaz, nuk e ke zgjidhur situatën plotësisht. Sa kohë merr kjo? Cilat janë kapacitetet e energjisë që i nevojiten Kosovës? Ndoshta janë 2 apo 3 GWh; si do t’i arrijë ato LDK?
3. Politika e Jashtme dhe Dialogu. Cilat janë qëndrimet dhe strategjia e partisë në këto dy fusha? Ato që po dëgjojmë janë ‘amerika,’ ‘do të shkojmë në Washington DC ditën e parë.’ Nuk mjafton kjo. Kosova duhet të ketë idetë e veta dhe të bëjë punën e saj, mos të mbetet një barrë e SHBA-së dhe BE-së. Të bëhet partnere, por jo edhe një bebe që duhet mbikëqyrje. Nuk mjafton të thuhet ‘Albini s’po bashkëpunon, ne do të bashkëpunojmë.’ Nuk shihet ende një drejtim dhe ide konkrete si të adresohet politika e jashtme. Për dialog nuk ka pozicione të sakta për asociacionin se si do të procedohet dhe nëse do të refuzohet si koncept.
4. Në siguri dhe reforma të drejtësisë e arsimit gjithashtu janë dhënë ide parciale. A do të reformohet dhe si drejtësia nëse LDK drejton qeverinë? A mjafton një ide për arsim gjithëditor që edhe ashtu nuk do të arrihet në gjithë Kosovën? Po lidhja e arsimit me nevojat e tregut, si do të bëhet? Digjitalizimi i arsimit dhe lidhja me një ekonomi digjitale. Çka do të bëjë LDK më shumë sesa 2-3 veprime që nuk do të zgjidhin sfida? Kjo duhet të qartësohet më shumë.
5. Infrastruktura. Këtu duket që programi dhe mendja, e fokusi i partisë, gjendet. Kjo duket si një fushë me avantazhe e partisë dhe LDK ka treguar që ka ambicie të investojë dhe fokusohet në zhvillim të infrastrukturës. Kjo me siguri që do të ketë ndikimin e saj pozitiv në ekonomi, por nuk do të mjaftojë. Kosova duhet të lëvizë nga investimet e rënda në infrastrukturë fizike në programe të buta konceptuale. P.sh. në vend se të fokusohesh tek ndërtimi i ‘objektit’ të spitalit, duhet të shihet si të funksionalizohet dhe bëhet më efikase shëndetësia. Në vend se të ndërtosh një park ekonomik, të mendohet për çka të ndërtohet dhe si të ndihmohen bizneset aty.
…..
Në përgjithësi, LDK është parti e rëndësishme dhe ka punuar intensivisht vitet dhe muajt e fundit për të rigjeneruar dhe transformuar vetveten. Këtë qëllim e ka arritur deri në një masë të madhe. Reformat duhet të vazhdojnë. Edhe programi dhe oferta për qeveri duhet të përmirësohet gradualisht.
Kjo parti ka kapacitetet e brendshme dhe duhet të fokusohet më shumë për të ofruar zgjidhjet e duhura. Në vend se të ofrojë fotografi me AI, të ofrojë zgjidhje praktike për projektet. Në vend se të mundohet të duket shumë ‘cool dhe e bukur,’ të duket funksionale. Në vend se të krenohet me programin e saj 200 faqe e 70k fjalë, të përmirësojë programin me të rejat e kohës dhe të gjejë rrugën si Kosova të përshpejtoj rritjen ekonomik dhe konsolidimin.