Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Faton Ismajli flet për betejën me dezinformatat – thekson se edukimi medial në sistemin arsimor është mjaft i nevojshëm

Faton Ismajli flet për betejën me dezinformatat – thekson se edukimi medial në sistemin arsimor është mjaft i nevojshëm

Kompania Meta ka hequr pragramin për verifikimin e fakteve (fact checking) në Facebook, ky program do të zëvendësohet me Shënimet nga Komuniteti (Community Notes).

Programi fact checking ka bërë raportimin e lajmeve apo përmbajtjeve të rreme, nga mediat sociale.

Si funksionon programi fact checking nga META?

Në mënyrë që të luftohet dezinformimi, Kompania META në bashkëpunim me verifikuesit e pavarur të fakteve, varësisht nga vendi kanë bërë vlerësimin e përmbajtjeve që janë publikuar në media sociale, më pastaj verifikuesit e këtyre lajmeve, raportojnë këto përmbajtje dhe në fund kompania META merret me faqen në fjalë, duke bllokuar ose kufizuar veprimtarin e faqes që ka shpërndarë përmbajtje të tilla.

Lidhur me këtë temë, TV Arbëria ka dërguar disa pyetje profesorit universitar, Faton Ismajli, ai ka folur për pasojat e këtij vendimi, duke theksuar se pas kësaj do të rritet çrregullimi informativ.

“Pa asnjë dyshim do thellohen problemet e hapësirës publike, do të shtohen informacionet e rreme, do të vazhdojë narrativa e lajmeve të rreme. Pra, gjithë ky ndryshim pa asnjë dyshim se po bëhet duke iu dhenë hapësirë më shumë informacioneve të rreme dhe zgjerohet edhe më shumë çrregullimi informativ”, ka thënë Ismajli.

Në kuadër të kësaj teme, Ismajli foli edhe për edukimin medial, duke potencuar se kjo është njëra ndër çështjet kryesore për sistemin arsimor në Kosovë.

Ai shton se përmes edukimit medial, publiku i gjerë aftësohen për të mos rënë pre e çrregullimit informativ.

“Ideja e edukimit të publikut për mënyrën se si t’i përdorin mediat është pa asnjë dyshim njëra prej çështjeve kryesore që duhet të adresohet në sistemin arsimor të Kosovës. Duke edukuar publikun, duke edukuar fëmijët, duke edukuar grupet e ndryshme shoqërore për mënyrën se si funksionojnë mediat, mediat sociale e mediat tradicionale, ne në fakt i aftësojmë ata që të mos bien pre e çrregullimit informativ që po ndodh në kohën e zhvillimeve kaq të mëdha të teknologjisë. Funksioni kryesor pse duhet edukim medial është që publiku të aftësohet t’i përdorë mediat në mënyrën më të mirë të mundshme në kohën kur shoqëria jonë ka qasje pothuajse 100 për qind në internet e rrjedhimisht edhe në media. Edhe përballë ndryshimeve të fundit të FB, edukimi medial, është zgjidhja për të mos rënë pre e dezinformatave, informacioneve të rreme e propagandës”, ka thënë tutje Ismajli.

Lexoni të plotë Intervistën:

Intervistë me profesorin universitar, Faton Ismajli