Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Intervistë me profesorin universitar, Faton Ismajli

Intervistë me profesorin universitar, Faton Ismajli

TV Arbëria ka zhvilluar një intervistë me profesorin në Departamentin e Gazetarisë, të Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, Faton Ismajli, pasi Kompania META hoqi programin për Verifikimin e Fakteve në SHBA, ky program do të zëvendësohet me “Shënimet nga Komuniteti (Community Notes)”.

Programi për verifikimin e fakteve apo fact-checking, merrej me raportimin e lajmeve apo përmbajtjeve të rreme në mediat sociale.

Si e shihni ju këtë dhe çka nënkupton kjo për punën e mediave online?

Së pari, vendimi i pronarit të FB lidhet edhe me fitoren e Donald Trump në Amerikë, të cilit ia pati mbyllur llogarinë në Fb (4 qershor 2021. Pastaj, llogaria e Trump është rikthyer në fb (janar 2023) dhe tash kemi në realitet të ri me ardhjen e tij në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pronari i Fb përmes heqjes së verifikuesve të fakteve në Fb po synon të sanojë sadopak raportet me Trump, i cili mund t’i shkaktojë dëme Fb, sidomos në aspektin financiar përmes veprimeve si President i SHBA-së.

Efekti i dytë pse pronari i Fb hoqi programin e verifikimit të fakteve lidhet me rrezikun që Fb po humbë primatin përballë mediave tjera sociale, të cilat nuk kanë pasur një program të tillë e rrjedhimisht të mos ketë një portë ku ndalen sadopak shpërndarja e informacioneve të rreme. S’ka asnjë dyshim se më mirë është një rregullim që nuk është perfekt se sa një hapësirë e pa rregulluar. Duke ua lënë komunitetit në dorë t’i denoncojnë informacionet e rreme, në fakt Fb i le të gjithë dhe askënd përgjegjës për shpërndarjen e informacioneve të rreme.

A ndikon në rritjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave?

As programi i verifikimit të fakteve nuk i ka ndaluar gjithë lajmet e rreme dhe dezinformatat. Por, ka pasur një adresë ku dikush është marrë në mënyrë aktive për t’i denoncuar ato. Tash, përgjegjësia është shpërndarë te të gjithë dhe rrjedhimisht përgjegjës nuk është askush. Është çështje vullnetare denoncimi i lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Nëse njerëzit kanë vullnet të denoncojnë një lajm të rreme e denoncojnë dhe mund të ndalet e nëse nuk denoncohet një informacion i rremë ai mund të shpërndahet dhe lexohet gjithandej.

A ka pasoja nga kjo lëvizje e mediave sociale, dhe nëse po cilat janë ato?

Pa asnjë dyshim do thellohen problemet e hapësirës publike, do të shtohen informacionet e rreme, do të vazhdojë narrativa e lajmeve të rreme. Pra, gjithë ky ndryshim pa asnjë dyshim se po bëhet duke iu dhenë hapësirë më shumë informacioneve të rreme dhe zgjerohet edhe më shumë çrregullimi informativ.

A po shkohet drejt modelit të tik-tok-ut, vetëm drejt përfitimeve?

Natyrisht, se lëvizjet e fundit shkojnë në drejtim të rritjes së fitimeve nga Fb sepse do të ketë më pak filtra për t’i ndalur informacionet e rreme, do të ketë më pak kontroll, do të ketë më pak verifikim dhe rrjedhimisht do të ketë më shumë hapësirë për keqpërdoruesit e hapësirës në këtë media sociale e rrjedhimisht edhe më shumë audiencë e më shumë reklamë dhe më shumë fitime.

A është shtuar edhe më shumë nevoja për lëndën e Edukimit Medial në sistemin arsimor?

Ideja e edukimit të publikut për mënyrën se si t’i përdorin mediat është pa asnjë dyshim njëra prej çështjeve kryesore që duhet të adresohet në sistemin arsimor të Kosovës. Duke edukuar publikun, duke edukuar fëmijët, duke edukuar grupet e ndryshme shoqërore për mënyrën se si funksionojnë mediat, mediat sociale e mediat tradicionale, ne në fakt i aftësojmë ata që të mos bien pre e çrregullimit informativ që po ndodh në kohën e zhvillimeve kaq të mëdha të teknologjisë. Funksioni kryesor pse duhet edukim medial është që publiku të aftësohet t’i përdorë mediat në mënyrën më të mirë të mundshme në kohën kur shoqëria jonë ka qasje pothuajse 100 për qind në internet e rrjedhimisht edhe në media. Edhe përballë ndryshimeve të fundit të FB, edukimi medial, është zgjidhja për të mos rënë pre e dezinformatave, informacioneve të rreme e propagandës.

/TV Arbëria