Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin kurti, ka dhënë një intervistë për Kosovapress, gjatë intervistës njëra ndër temat ishte raporti i Qeverisë Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan TV Arbëria.
Kurti deklaroi se qeveria e tij ka raporte të shkëlqyera me SHBA-në, dhe se nuk sheh prishje të raporteve as pas kthimit të Richard Grenell në administratën e SHBA-së.
“Në raport me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne kemi raporte të shkëlqyeshme të cilat nuk janë vetëm në fushën e diplomacisë, janë edhe në fushën e mbrojtjes dhye zhvillimit. Në fushën e mbrojtjes ne po bëjmë gjithnji e më shumë blerje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi plane të tilla për të ardhmen”, kështu deklaroi Kurti.
Nuk vonoi shumë, erdhi një reagim nga i emëruari i Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell-it.
Grenell deklaroi krejt të kundërtën e asaj që tha kryeministri Kurti. Ai në një përgjigje për Nacionale, thotë se, “Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”.
“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, kështu deklaroi Grenell për Nacionale.
Grenell në vitin 2021 kishte deklaruar për Kurtin, se ai është kundër çdo politike amerikane.
“Është keq kur Kurti refuzon çdo politikë amerikane nga Bill Clinton, Barack Obama, George Bush. Ai është kundër çdo politike amerikane. Kjo është e tmerrshme për Kosovën”, kështu kishte deklaruar Grenell tri vite më parë.
Sesi do të vijojnë raportet mes Qeverisë Kurti, dhe administratës amerikane, mbetet të shihet në në vazhdimësi. /TV Arbëria