Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, janë ndër institucionet të cilat prijnë sa i përket rasteve të korrupsionit. Ndërkaq, Posta dhe Telekomi i Kosovës, është më i cenueshmi nga korrupsioni nga ndërmarrjet publike. Kështu bënë të ditur drejtori në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj.
Buleshkaj në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për rastin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe numrin e zyrtarëve publik që nuk e kanë deklaruar pasurinë, si dhe gjobat e shqiptuara.
Lidhur me rastet e korrupsionit, 25 të tilla janë dërguar në prokurori dhe se janë duke u shqyrtuar.
Ndërkaq, APK-ja ka dërguar mbi 15 raste në prokurori për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Buleshkaj tregon se kanë shqiptuar rreth 100 gjoba për vonesa në deklarimin e pasurisë.
Për KosovaPress Buleshkaj thekson se prin një trend jopozitiv ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë.
Ai thotë se rasti i Gërvallës ka qenë më kompleks për shkak se pasuria e cila është menduar se nuk është deklaruar plotësisht, ka qenë jashtë Kosovës.
Ndër të tjera, Buleshkaj shpreh shqetësimin se prokuroria e Kosovës i hedhë poshtë një numër të madh të kallëzimeve penale të APK-së, ku më pas nuk u lejohet ankimi i këtyre vendimeve, e siç thotë ai mund të jenë edhe të padrejta.
Rreth 1 mijë e 200 euro dhe dënimi me burg me kusht janë dënimet më të mëdha sipas Buleshkaj që ka shqiptuar prokuroria në rastet e korrupsionit.