Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Rrugëtimi i dialogut me Serbinë nën Qeverinë Kurti

Rrugëtimi i dialogut me Serbinë nën Qeverinë Kurti

Në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti thotë se Kosovën e ka përfaqësuar denjësisht në bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Zyrtarë qeveritarë akuzojnë Serbinë se nuk ka treguar qasje konstruktive në dialog dhe thonë se është koha që BE-ja të evidentojë palën bllokuesi të procesit – Beogradin zyrtar.

Opozita ndërkaq kritikon Qeverinë për qasjen në procesin e dialogut duke thënë se me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, me ndërmjetësimin e BE-së hoqi dorë nga njohja e ndërsjellë derisa pranoi autonomi për serbët e Kosovës.
Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit, kryenegociatorit në dialogu, thotë për KosovaPress se Kosova pranuar marrëveshjen bazike, por që e njëjta është refuzuar nga Serbia dhe kjo e fundit e keqpërdor çdo takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të procesit të dialogut.

“Në këta katër vjet, e kemi përfaqësuar denjësisht Kosovën në tryezën e dialogut dhe kemi shfaqur konstruktivitetin e gatishmërinë tonë për të ecur përpara me normalizimin e marrëdhënieve. E kemi një marrëveshje, atë Bazike dhe Aneksin e Implementimit të Ohrit, të cilat duhen pranuar e zbatuar nga të dyja palët. Kosova i ka pranuar ato në tërësi, është e gatshme për nënshkrim dhe zbatim, dhe nuk i shkel ato. Nga ana tjetër, Serbia bën krejtësisht të kundërtën. E ka refuzuar marrëveshjen edhe verbalisht edhe me shkrim përmes letrave drejt Bashkimit Evropian, e ka refuzuar nënshkrimin, e ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjen… Qasja destruktive e Serbisë në procesin e dialogut, fatkeqësisht ka ecur paralelisht edhe me sulmet e saj në terren ndaj Republikës së Kosovës. Serbia ka tentuar, duke dështuar, të krijojë çështje artificiale, në mënyrë që të devijojë vëmendjen nga normalizimi i marrëdhënieve, rruga përpara, dhe pranimi e zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Presim nga BE që si ndërmjetësues në proces, qartësisht të evidentojë palën bllokuese të procesit, e që adresë kryesore e të vetme e ka Beogradin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KosovaPress.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti i ka sjellë dëme Kosovës në dialog, duke larguar marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellët, teksa ka sjellë një statut të asociacionit, i cili paraqet një autonomi të plotë për serbët në Kosovë.
Edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj kritikon Qeverinë Kurti për qasjen në dialog, duke thënë se pranoi marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku thotë se mungesa e progresit në dialog ka qenë gjë e pritur dhe se ai nuk pret që ky proces të këtë ndonjë përparim deri pas procesit zgjedhor në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023 dhe Aneksit të Ohrit në mars të po atij vitit, por deri më tani nuk ka gjetur zbatim.

Gjatë qeverisjes Kurti, të dyja palët negociuese zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve dhe atë të kryenegociatorëve, por nuk u gjet gjuhë e përbashkët për zbatim të marrëveshjes.

Pjesë e marrëveshjes është edhe themelimi i asociacionit me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë hap për zbatim. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar, Qeveria ka thënë se drafti i BE-së për asociacionin është një “non paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.