Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Zgjedhjet e 9 shkurtit si një mundësi për PDK-në për ta restauruar demokracinë e uzurpuar nga një klan i errët politik

Zgjedhjet e 9 shkurtit si një mundësi për PDK-në për ta restauruar demokracinë e uzurpuar nga një klan i errët politik

Shkruan: Afrim Kasolli

Zgjedhjet nacionale krahas që janë të rëndësishme për garën ndërmjet partive politike, ato janë po ashtu vitale edhe për zhvillimet brenda tyre. Sepse nëpërmjet votës së qytetarëve mund të iniciohen ndryshime që mbahen të bllokuara nga drejtuesit partiakë.

Në këtë drejtim, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë karakter të dyfishtë për Partinë Demokratike të Kosovës, si për shkak të betejës elektorale me subjektet rivale politike, ashtu edhe për ta çliruar vullnetin e brendshëm demokratik të uzurpuar nga koniunktura aktuale dominuese. I njohur ndryshe në rrethet e brendshme partiake si “klani i gjimnazistëve” apo për shkak të aktivitetit të tyre primar deri më tani në menaxhimin e kafiterive si “klani Bon Vivant” ky grup përgjatë këtij mandati e ka shndërruar këtë subjekt në një “strukturë ilegale”, pikërisht nga frika prej demokracisë.

Mjerisht, kjo parti politike hynë e hendikepuar në këto betejë nga fakti se vullneti i saj i brendshëm është mbajtur peng dhe në kundërshtim me kushtetutën e partiake, sikur se është statuti i partisë. Sipas këtij dokumenti, përkatësisht nenit 96 mbi zgjedhjet, pikës 3 dhe 4 “Të gjitha organet e PDK-së i nënshtrohen procesit zgjedhor çdo katër vjet. Zgjedhjet mbahen në raunde të ndara, fillimisht për organet lokale, pastaj për ato qendrore dhe organet e tjera, ashtu siç është e paraparë me këtë Statut” . Ndërkohë, shumica e organeve të kësaj partie në këtë nivel tashmë ka kohë që ju ka skaduar legjitimiteti. Dhe kjo shkarje nga normat fondatore nuk është pa rëndësi. Sepse ajo dëshmon se sa një parti si vullnet kolektiv mund ta konsiderojë vetën si alternativë demokratike ndaj oponentëve të saj. Prandaj, nëse nuk e respekton demokracinë e brendshme dhe e mban peng vullnetin politik të anëtarësisë së saj, atëherë e ardhmja e saj bëhet e zymtë. Kurse, fakti se si ia ka dalur të certifikohet nga Komisioni Zgjedhor edhe përkundër këtij deficiti mbetet një “enigmë sfinksi”.

Natyrisht, shndërrimi i këtij grupi drejtues në fytyrën përfaqësuese partiake nuk është i rastësishëm. Siç dihet nga të gjithë ne, ata kurrë nuk e fituan asnjë betejë politike. Përkundrazi, pushtetin që e kanë e gëzuan nga të tjerët. Edhe këtë rast e përdorën të njëjtën metodë. Duke e nuhatur se rënia ishte fati i tyre pashmangshëm, atëherë e përqafuan flamurin e bardhe me qëllim që të shpëtojnë edhe kësaj here nën autoritetin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza. Kurse në anën tjetër u përkujdesën që emrat e shumicës së tyre, të figurojnë në 10-në e parë të kandidatëve për deputetë.

Sidoqoftë, ngritja e mistershme e këtij klani financiar dhe politik, krahas aktivitetit të tyre biznesor ka gjetur shtrat edhe nga te ai model i veprimit politik, deformimet e të tij cilit i ka përshkuar në mënyrë të jashtëzakonshme, shkrimtar i ynë i njohur Ismail Kadare në veprën “Dimri i vetmisë së madhe”. Gjeniu ynë i letrave shkruan se ky lloj i aktivistëve politikë e “kishin vetëquajtur veten njerëz të afërt të Partisë, më të afërt se të tjerët, më të besueshëm, njerëz të brendshëm të shtëpisë, kurse të tjerët ata i quanin të jashtëm, jo edhe aq të besuar. Ata ishin “ne” kurse të tjerët “ ata”,,,, Ata shfaqen aty ku s’i pret, në qendra pune në organizata rinie, partie, në situata të ndryshme, në mbledhje në mitingje, bile thjesht nëpër darka apo festa ditëlindjesh, ata mbinin papritur, vetëquheshin, vetëshpalleshin”.

Pra kombinimi i kësaj sjellje me atë të kontrollimit të financave dhe “reformës se brendshme” u shndërruan në çelës magjik për etablimin e këtij grupi në forcën dominuese partiake. Dhe për më tepër, për të mbajtur të bllokuara potencialet e aksionit politik. Kjo edhe është arsyeja që kjo strukturë klientesliste i kanë rrënuar mundësitë e ndërtimit të alternativave të brendshme ndaj saj.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e 9 shkurti janë një mundësi e bazës partiake për t’u distancuar nga ky model, duke e ndëshkuar atë me anë të votës. Dhe në këtë mënyrë për të dëshmuar se vullneti i kësaj të fundit për demokraci është mbi çdo kalkulim tjetër. Dhe se ky vullnet është gardiani i sigurt i kësaj partie. /TV Arbëria