Shkruan: Afrim Kasolli
Për një kohë të gjatë ka dominuar bindja se Vetëvendosja nuk mund ta marr pushtetin për shkak të qëndrimit kundërshtues ndaj dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Brukseli. Duke qenë se ky proces ishte interes strategjik i bashkësisë ndërkombëtare, Perëndimi do ta bënte të pamundurën për ta penguar fronëzimin e Albin Kurtit.
Fal këtij iluzioni, partitë “tradicionale” thuajse e merrnin të sigurt qeverisjen e përhershme dhe nuk ndjeheshin të kërcënuara nga perspektiva e rënies. Madje, edhe pas ndryshimeve që ndodhën në shkurt të vitit 2021, kur kjo parti i fitoi 50 për qind të votave, partitë opozitare në vend të mobilizimit politik kundër “regjimit të ri” u pajtuan me gjendjen, duke shpresuar se fati i tyre do të ndryshojë nga ndonjë kurthim i mundshëm i diplomatik i Albin Kurtit në tavolinën e dialogut. Prandaj, krejt çka u duhej atyre ishte shpenzimi i kohës politike “Duke pritur Godonë”.
Mirëpo, zhvillimet kanë treguar se asgjë nuk ka qenë më naiv se sa ky besim. Përkundrazi, pikërisht, Lëvizja Vetëvendosje në shumë raste e ka dëshmuar vetën si partneri më i mirë i mundshëm i bashkësisë ndërkombëtare sa i përket procesit të dialogut. Kurse, kohë më parë deputeti i Bundestagut, Josip Juratovic, kishte pohuar se si e kishin përkrahur Kurtin për këtë arsyeje, dhe se ai u kishte “premtuar thyerjen e koalicionit të luftës”.
Është e vërtetë se kohë pas kohe, janë shfaqur tensione ndërmjet Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe përfaqësueseve të QUINT-it, për shkak të “aksioneve të njëanshme në veri” siç quheshin këto të fundit nga diplomatët e këtyre vendeve. Madje, për këtë arsyeje vendi vazhdon të gjendet ende nën masa sanksionuese.
Por, megjithatë, nuk duhet harruar faktin se gjatë këtij mandati qeverisës janë bërë kompromise politike dhe diplomatike në procesin e dialogut me Serbinë, pa prodhuar kurrfarë antagonizma të brendshme shoqërore dhe politike. Pra kryeministri i Kosovës, ka dëshmuar se mund ta garantojë stabilitetin e brendshëm duke qenë në pushtet pa asnjë telashe, që është interes primar i bashkësisë ndërkombëtare. Si Marrëveshja bazë e Brukselit, Aneksi i zbatimit Ohrit, imponimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë kaluar pa asnjë pasojë. Dhe këto lëshime janë bërë pa asnjë përftim shtetëror. Përkundrazi, me përkeqësim të pozicionit diplomatik të vendit. Dikush mund të thotë se ato nuk janë zbatuar ende. Po, por tashmë secila prej tyre është shndërruar në detyrim ndërkombëtar për shtetin.
Ndërkaq, në anën tjetër, përkundër këtyre zhvillimeve, partitë opozitare i ka karakterizuar një heshtje mortore në këto tema ose solidarizim me pushtetin. Vetëm tash në fund kur është shtuar adrenalina elektorale ato po besatohen se nuk do t’i përfillin ato. Por, sa janë të sinqerta këto zotime të reja, e dëshmojnë deklarimet e tyre të mëhershme, se nuk kanë tjetër alternativë, pos zbatimit të atyre detyrimeve që i ka pranuar Kurti.
Në këtë kontekst, pikërisht, kjo qasje e opozitës duke u nisur nga kalkulimi se duke rezistuar ndaj proceseve të sipër cekura mund të armiqësohet me bashkësinë ndërkombëtare, dhe më këtë t’i rrënojë gjasat për rikthim aty ku ishte, në fakt e ka transmetuar mesazhin se vetëm me Kurtin në pushtet e para mund ta ketë më të lehtë. Prandaj, nuk është larg mendsh, që Perëndimi ta ketë interes rikonfrimimin e Vetëvendosjes në pushtet edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, sepse për katër vjet opozita ishte pajtuar për të mos kundërshtuar asgjë pavarësisht se me çka është pajtuar pushteti aktual në procesin e dialogut. /TV Arbëria