Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A kanë bazë në sjelljet politike të pushtetit deklarimet e Aleksandër Vuciqit se në Kosovë po dominon një nervoz për rikthimin e presidentit Trump?

A kanë bazë në sjelljet politike të pushtetit deklarimet e Aleksandër Vuciqit se në Kosovë po dominon një nervoz për rikthimin e presidentit Trump?

Shkruan: Afrim Kasolli

I ballafaquar me protesta, pakënaqësi dhe zemërim të brendshëm shoqëror dhe politik për shkak të sundimit të tij, presidenti serb, Aleksandër Vuciq shpëtimin ka filluar ta kërkojë, krahas premtimit për rifillimin e fushatës së çnjohjeve të Kosovës edhe te rikthimi i administratës Trump me 21 Janar të këtij viti. Madje sipas tij, përkundër faktit që dy shtete edhe më të madhja se Serbia pritet që ta tërheqin njohjen e tyre, po ashtu në Kosovë është duke u demonstruar një nervoze me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit.

Për premtimin e parë as nuk mund ta mohoj e as ta pohoj, ndonëse është e ditur se qëllim i Serbisë mbetet dobësimi i peshës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Madje, ky fenomen dikur kishte marrë përmasa të frikshme, deri sa u ndal me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit të vitit 2020, pikërisht të sponsorizuar nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump. Ndërkohë, po ashtu fal atij pajtimi, Kosova atë ditë e fitojë njohjen nga shteti i Izraelit, çfarë edhe është hera e fundit që jemi njohur nga një shtet.

Por shtrohet pyetja se ky deklarim i presidentit serb a ka bazë në realitet? Apo është vetëm një manipulim djallëzor i tij për krijuar percepcionin e armiqësisë ndërmjet shtetit të Kosovës dhe administratës së re amerikane. Nëse i referohemi si zhvillimeve politike në Qeverinë Kurti 1, ashtu edhe disa deklaratave të mëhershme të kryeministrit të Kosovës, ky i fundit i ka dhënë legjitimitet kësaj propagandës të liderit serb. Sepse i pari, kohë më parë në një intervistë për një mediat britanike kishte deklaruar, se “me kthimin e presidentit Trump… ka njëfarë stresi dhe ankthi në të gjithë kontinentin,, dhe Kosova nuk është ndryshe”. Kurse, pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, militantë të partisë në pushtet deklaronin se nevojitet një mobilizim popullor rreth Albin Kurtit si kundërpeshe ndaj rrezikut që tash mund t’i vijë Kosovës nga Uashingtoni. Prandaj, janë këto sjellje të pushtetit të në Prishtinë, që i japin të drejtë konstatimeve të Aleksandër Vuciqit. Dhe në dallim nga Qeveria e Kosovës ku merakoset edhe për ankthin e Evropës për shkak të ndryshimeve politike përtej Atlantikut, presidenti serb po tenton të krijojë favore për vete duke i thelluar sa më shumë lidhjet personale dhe diplomatike me rrethin e ngushtë të njerëzve të presidentit Trump.

Mirëpo, a është situata aq e pashpresë sa duket në shikim të parë. Përkundrazi, ndonëse mbetet të shihet në detaje se çfarë kaheje do të marr politika e jashtme e SHBA-ve pas 21 Janarit, dhe atë veçanërisht në raport me Ballkanin Perëndimor, megjithatë në bazë të disa projeksioneve që janë bërë të ditura deri më tani, nuk është se ato që i ka propozuar presidenti Trump si qëllime strategjike të tij mund të jenë ne disfavor të Kosovës.

Është thënë shpesh se njëra nga taktikat e tij do të jetë forcimi i raporteve bilaterale dhe transaksionale, para atyre multilaterale. Në fund të fundit, Kosova për më shumë se një dekade ndodhet në procesin e negociatave me Serbinë nën lehtësimin e BE-së, dhe thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Për më tepër, pozicioni i saj është dobësuar. Prandaj, është imperative të dilet nga rreth vicioz.

Po ashtu, as doktrina e politikës së jashtme e “paqes nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength) nuk është në antinomi me interesat e Kosovës. Sepse, kjo e fundit nuk është rrezik për paqen në rajon. Por, Serbia mbetet kërcënimi real , dhe atë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe shteteve tjera, si Bosnja, Mali i Zi etj. Nuk është e rastësishme që gjatë mandatit të parë të administratës Trump u lejua formimi i Ushtrisë së Kosovës. Ngase vetëm forcimi i saj është garanci për paqe rajonale. Me këtë rast duke vepruar si duhet ka gjasa që këto kapacitete mbrojtëse të shtohen edhe me shumë gjatë këtij mandati. Dhe më kryesorja, Kosova është në të njëjtën linjë me SHBA-të sa i përket domosdoshmërisë së kufizimeve të Kinës. Është presidenti serb që në mase të madhe e ka lidhur fatin e tij me shtetin e largët aziatik, përpos interesave ekonomike edhe për shkak të solidaritetit që Pekini dhe Beogradi kanë gjetur kundër Kosovës dhe ishullit të Tajvanit.

Kështu , duke e akuzuar Kosovën për nervozë për rikthimin e Trumpit, ai në të vërtetë vetëm sa po e maskon nervozen e tij mbi pamundësitë që do t’i imponohen pas 21 Janarit. Por, është me rëndësi që Kosova ta lexojë drejtë këtë “rikthim unilateral” të Amerikës, e jo me deklarata naive të vajtojë në mediat ndërkombëtare mbi ankthin evropian. Sepse, Serbia përfitimin më të madh diplomatik e ka pasur pikërisht nga abdikimi i SHBA-ve në çështjet evropiane gjatë kohës së ish presidentit Obama. /TV Arbëria