Nga Shenoll Muharremi
Partia më e madhe në vend, gjithashtu në pushtet, LVV e Kurtit, ka një detyrë të vështirë gjatë periudhës së ardhshme. Ata janë rritur 341% brenda shtatë viteve, nga më pak se 100,000 vota (2014) në rekord historik 438,335 vota më 2021. Ky rezultat ka thyer edhe rekordin e LDK-së së Ibrahim Rugovës me kulmin e tyre prej 359,851 votash në vitin 2001
Por asgjë nuk rritet pafundësisht, as Universi. Ky momentum padyshim ishte kulmi i LVV-së dhe kjo nuk u arrit vetëm për shkak të vendimeve të tyre, por ishte gjithashtu një votë ndëshkimi për establishmentin e vjetër që kishte qeverisur për 20 vite dhe koha kishte ardhur për ndryshime. Pra, nuk ishte diçka e qëndrueshme; ishte një frymë, një fortunë, që hodhi në themel dy partitë më të mëdha konservative, LDK (110,985 vota) dhe PDK (148,285 vota).
Ardhja në pushtet dhe qeverisja si parti e vetme ka përparësitë, por sidomos rreziqet e saj janë të mëdha. Kur je në qeveri, në një vend me nevojat astronomike e mundësi shumë të kufizuara, me siguri që ti nuk do të vazhdosh të rritesh. Do të tkurresh. Kjo i ka ndodhur LVV-së dhe Albin Kurtit, dhe ata tani duhet të menaxhojnë këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pse do të tkurret pashmangshëm LVV?
1. Ata kanë qeverisur të vetëm. Kjo ka një kosto shumë të lartë për shkak se kur gjërat nuk shkojnë si duhet, barrën dhe faturën e paguan vetë. E ka shumë gjëra që nuk kanë funsionuar si duhet përfshi ekonomia, diplomacia dhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE;
2. Opozita nuk është më ajo e vjetra. LDK është rigjeneruar qeveriset nga një ekip mirë i shkolluar dhe i fokusuar në ekonomi. PDK, partia e UÇK-së, po transformohet gjithashtu dhe ka në mesin e saj në menaxhment persona që kanë diplomuar nga LSE-ja dhe Harvard. Pra situata ka ndryshuar ku nuk kemi më një opozitë të ‘establishmentit’ sikur më herët. Nga partitë të ‘forta’ dhe ‘vjetra’ tash opozita duket se po instalojnë edhe ‘trurin’ dhe ekipe të reja dhe kjo ka ndryshuar lojën ku LVV dhe Kurti nuk janë më të veçant aspak;
3. Gjatë qeverisjes së LVV-së dhe Albin Kurtit kemi pasur disa kriza jashtëzakonisht të thella globale që kanë goditur Kosovën gjithashtu. Inflacioni historik më i lartë në dekada ka qenë faktori që më së shumti i ka goditur qytetarët, familjet, bizneset, ekonominë. Fuqia blerëse e familjeve është gjunjëzuar. Vlera e të ardhurave dramatikisht ka rënë; kjo e ka rënduar jetën e qytetarëve, ku një grup i madh ka migruar jashtë për të gjetur zgjidhje;
4. Politikat ekonomike kanë qenë të papërshtatshme për kontekstin socio-ekonomik të Kosovës. Rritja dramatike e ndihmave sociale, dyfish sa investimet qeveritare publike, e ka rritur importin dramatikisht dhe deficitin në mallra e ka rritur në 90%, nga 2.8 në rreth 5.3 miliardë euro. Kjo ka rritur presionin te bizneset lokale dhe ka krijuar krizë të likuiditetit. Kosovarët e kanë financuar këtë ‘humbje’ nga borxhet në banka dhe nga remitancat kryesisht;
5. LVV nuk është më ajo e vjetra nga opozita. Në pushtet, kjo parti ka instaluar nëpër borde publike njerëzit e saj politikë. Ka kontrolluar mediumin publik RTK duke instaluar drejtorë politikë dhe duke përdorur metoda të inteligjencës për të goditur mediat private. Xhipat e zinj që LVV kritikonte nuk i larguan; qeveria e tyre i përdori. E Albin Kurti nuk po del më në media dhe debate për të diskutuar problemet e Kosovës. Ajo LVV që e kemi njohur nuk ekziston më. Vetëvendosja është një parti thuajse e zakonshme tashmë;
6. Kriza energjetike periudhën e fundit karakterizon një situatë ku shpërfaq faktin që për 4-5 vite sa LVV ka qenë në qeverisje, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë për Kosovën. Në fakt, kriza energjetike ekspozon tjetërsimin e LVV-së dhe Albin Kurtit. Ata, nga protestuesit që me dhunë tentonin të ndalnin privatizimin e KEDS-it, tashmë janë bërë mbrojtësit e tyre. Sot, kur kriza energjetike ka kapluar Kosovën, KEDS justifikohet dhe mbrohet nga qeveria duke e vendosur fajin te kapaciteti i distribuimit. E kush është përgjegjës për distribuim?;
7. LVV ka qenë e papërgatitur për qeverisje për shkak se ka qenë një parti e protestave dhe e rrugëve. Kur ka ardhur në pushtet me aq shumë përkrahje, është befasuar edhe vetë. Ajo nuk ka pasur kuadro të duhura për të gjitha kompetencat që nevojiten për menaxhimin e institucioneve publike. Rrjedhimisht, performanca e qeverisë ka qenë jo e mirë. Në disa dikastere ka qenë alarmante, për shembull në Diplomaci dhe Arsim. Me siguri ka pasur edhe punë të mira që janë bërë, por Kurti ka bërë një gabim strategjik kur nuk ka kërkuar llogari për dështimet apo mospunën. Kjo e ka detyruar që të identifikohet me dështimet dhe t’i mbrojë ato. Kjo do t’i hakmerret;
8. Efekti Vjosa Osmani nuk është më pjesë e lojës. Spekulohet që vetëm Osmani i ka sjellë deri në 100,000 vota përkrahje dhe frymë LVV-së në zgjedhjet e fundit. Nuk janë as grupi religjioz “Familja” pjesë e LVV-së. E as disa nga ata më deputetë solo si Haki Abazi. Pra, LVV është duke u shkapërderdhur periudhën e fundit; nuk është në rritje. Marrëdhëniet me aleatët dhe sponsorët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës gjithashtu nuk janë si ishin më herët. Kosova ka acaruar marrëdhëniet, e Serbia i ka forcuar me SHBA dhe BE. Kjo mund të ketë efekte serioze afatgjata nëse nuk korrektohet;
9. Nuk ka frymë! Fryma e LVV-së nga vitet 2019 deri 2022 nuk ekziston më. Në fakt, pasi kanë qeverisur rreth 4-5 vite, fryma tashmë po transformohet dhe kalon apo kthehet në një status quo ku thuajse është ndarë në dysh mes opozitës dhe LVV-së. Nuk duket që ka një disponim për të vazhduar me LVV sikur më herët. Këtë do ta kuptojmë më mirë edhe në zgjedhje, nëse konfirmohet, por mundemi të deklarojmë që fryma e LVV-së që ishte nuk ekziston më;
10. Regjistrimi i Diasporës, i cili përfundoi këto ditë, është indikatori i parë i disponimit të votuesve. LVV aty kishte një ambicie të përsëriste fitoren e vitit 2021, por kjo nuk ndodhi. Nuk u konfirmua që LVV do të fitojë 80% nga diaspora, e në fakt as 50% nuk do t’i fitojë me gjasë. Kemi rreth 107,000 të regjistruar dhe do të kemi rreth 81,000 votues potencialisht në fund. Nga këto, nëse LVV fiton 40,000 vota, do të jetë sukses. Partitë opozitare kanë punuar dhe e kanë sfiduar hegjemoninë e LVV-së në fushën e saj kryesore, ku ka pasur më së shumti avantazhe.
…..
Gjërat më nuk janë si kanë qenë. Elektorati i Kosovës e ka provuar edhe partinë që ishte më ndryshe se të tjerat, por gjendja e Kosovës nuk ndryshoi shumë, ndryshoi partia. Kjo tregon që fokusi për ndryshime duhet të vendoset në reformimin e sistemit. E kompromisi, maturia, bashkëpunimi janë rruga përpara.
LVV dhe Albin Kurti duhet të menaxhojnë tkurrjen e tyre natyrale. Ky është një korreksion normal dhe i shëndetshëm, sepse nuk ka më hapësirë të shkohet më lart. Gjithashtu, kur rritesh aq shumë për një kohë të shkurtër, kjo nuk është e qëndrueshme. E tash LVV nuk duhet të bëhet një ‘humbës i keq’. Duhet të nxjerrë më të mirën prej situatës dhe të pranojë tkurrjen e saj. Nuk duhet të polarizojë shoqërinë, duhet të jetë e matur dhe bashkëpunuese.
Topi është te Albin Kurti. Ai mund të tregohet konstruktiv dhe të vazhdojë të jetë pjesë me rëndësi e sistemit politik të Kosovës. Me siguri do t’i fitojë zgjedhjet, por fitorja do të jetë me siguri në rajon të 35% (jo 50% e 70% si mendohet). E kjo do ta vendosë partinë para një vendimmarrjeje me rëndësi: a dëshiron LVV të bashkëpunojë me një nga partitë e tjera apo, alternativisht, të dalë në opozitë?
Kosova ka ende vend dhe nevojë për LVV-në dhe Kurtin, por jo në këtë formë sikur deri më tani. Sikurse pushteti i tepërt e ka stërkequr Kurtin dhe LVV-në. Ky pushtet duhet të ndahet me të tjerët që sistemi politik të funksionoj më mirë. LVV mund të japë ende kontribut të mirë në reformën e drejtësisë dhe në politikat e mbrojtjes. Por ajo nuk ka legjitimitet të qeverisë me politikat ekonomike, me diplomaci e me arsim.