Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse ka diçka që e ka karakterizuar fillim vitin 2024 me fundin e tij, mbetet fushata e sulmeve publike të eksponentëve të pushtetit aktual ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kjo praktike u vulos gjatë këtyre dy ditëve në disa shfaqje mediale edhe nga Kryeminsitri Kurti.
Fillimisht gjatë një “ballafaqimi” të improvizuar në mediumin Koha Vizion, ai e krahasoi punën e tyre me metafora nga bota gjallesave animale. Prokurorët e shtetit i quajti herë si “kërmij” e herë si “lepuj”. Kjo metamorfozë e tyre, sipas të parit të Qeverisë, kushtëzohet varësisht nga interesat që i mbrojnë. Sepse të parët nuk veprojnë nga ndonjë imperativ juridik. Pra, për Kurtin, “kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë”.
Ndërkohë, gjatë një interviste për fund vit në mediumin publik RTK, ai e përshkroi punën e tyre të motivuar nga të njëjtat qëllime me ato të Serbisë, përkatësisht të kryetarit serb, Aleksandër Vuqic, kundër tij personalisht, Qeverisë së Kosovës dhe pse jo kundër kombit shqiptar. Sipas shefit të ekzekutivit, akuzuat ndaj bashkëpunëtorëve të tij për korrupsion nga organi i aktakuzës, nuk janë pse ata janë të tillë shpura e tij, por pikërisht për shkak të suksesit që kanë dëshmuar gjatë punës së tyre. Bie fjala, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, po hetohet, sepse ky i ka çmendur kundërshtarët e tjerë një pjesë e madhe e të cilëve janë në prokurori. Prandaj, “ky sulm ky sulm që është bërë ndaj drejtorit është bërë për shkak të suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij” ka pohuar ndër të tjera Kurti.
Mirëpo, është interesant se të njëjtin arsyetim, kryeministri Kurti e kishte përdorur pak ditë pas sulmit mbi lumin Ibër-Lepenc, për të shpjeguar motivet e Beogradit pse po orkestron akte të tilla terroriste ndaj Republikës së Kosovës. E para kjo ka të bëjë me pamundësinë e tij për ta dërguar FSK-në në pjesën veriore si pasojë e një zotimi të ish-kryeministrit Hashim Thaci, që e para do të mund të shkonte në atë pjesë vetëm me leje të KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë. Dhe më kryesorja sipas Kurtit, sulme të tilla janë shpeshtuar, për shkak të sukseseve të Qeverisë së tij në pjesën veriore. Ku Serbia po bëhet gjithnjë e më nevrike ngase po e humb ndikimin në terren për shkak të çmontimit të strukturave kriminale që ishin mirëmbajtur nga Beogradi për një kohë të gjatë.
Pra në të dy rastet, sipas kryeministrit Kurti, si sa i përket sulmeve nga Serbia ashtu edhe hetimeve nga prokuroria për zyrtarët e tij dyshuar për korrupsion, motivet kanë të bëjnë me mos durimin kundërshtarëve të tij të jashtëm e të brendshëm, për shkak të sukseseve që janë bërë të mundura gjatë këtij mandati qeverisës. Me këtë rast, për dallim nga një natë më herët, ku puna e prokurorisë përshkruhej me terma dehumanizues animal, në intervistën e mbrëmshme ajo atakua në terma shkombëtarizues, sepse sjelljet e saj u ngjasojnë qëllimeve të Serbisë kundër pushtetit aktual. /TV Arbëria