Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Viti i regjistrimit të popullsisë

Viti i regjistrimit të popullsisë

Viti 2024 ishte edhe vit i regjistrimit të popullsisë në Republikën e Kosovës. Hera e fundit kur ishte kryer ky proces ka qenë viti 2011. Dhe ndërmjet këtij harku kohor sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë ndodhur ndryshime domethënëse demografike, ekonomike, politike dhe kulturore.

Fillimisht, popullsia e vendit ka rënë në 8.8 për qind. Mirëpo me “gjithë rënien e numrit të banorëve, të dhënat tregojnë se numri i banesave është rritur dukshëm që nga viti 2011”.

Një ndryshim tjetër ka të bëjë më trendin banimit më shumë në qendrat urbane. Pra “për dallim nga viti 2011, kur shumica banonin në zona rurale, tani shumica e popullsisë jeton në zonat urbane në Kosovë”.

Një e dhënë tjetër e këtij regjistrimi mbetet tendenca e plakjes së popullsisë, fenomen ky thuajse global. Kështu, “nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 në regjistrimin e popullsisë të këtij viti, përqindja e banorëve që u takon grup-moshave nën moshën 14 vjeç është zvogëluar. Ndërsa, numri i pensionistëve është rritur”.

E veçanta e këtij procesi ishte dhe llogaritja e dëmeve të luftës, që qytetarët e Kosovës e kanë pësuar nga lufta e vitit 1998-1999. Shumica e familjeve në Kosovë kanë raportuar se lufta e fundit në vend, në vitet 1998-99, u ka shkaktuar dëme nga 20 mijë deri në 40 mijë euro, duke e shtuar numrin total të këtij dëmi në 5 miliardë euro

Një trend pozitiv është vërejtur edhe sa i përket rritjes në sferën e arsimit formal. Me këtë rast “regjistrimi i 2024-tës i popullsisë në Kosovë tregon se numri i banorëve që nuk kanë ndjekur fare arsimin formal ka rënë dukshëm, në krahasim me të dhënat e regjistrimit të vitit 2011. Por, shumica e atyre pa arsim formal mbeten ende gra.

Sipas të dhënave përfundimtare, mosha mesatare e popullsisë është 34.84 vjeç.

Dendësia e popullsisë në 1 km² është 146.9 banorë, krahasuar me 159.5 banorë (2011).

Numri i Ekonomive Familjare është 366,595 në vitin 2024, krahasuar me 297 090 sa ishin në vitin 2011. Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare është 4.33 banorë në vitin 2024, krahasuar me 5.9 banorë në një ekonomi familjare sa ishte në vitin 2011. /TV Arbëria