Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Viti 2024- si vit i përkeqësimit të sigurisë globale

Viti 2024- si vit i përkeqësimit të sigurisë globale

Shkruan: Afrim Kasolli

Ashtu siç pritej, viti 2024 kaloi nën ndikimin e dy krizave të mëdha gjeopolitike, asaj të luftës në Ukrainë, për shkak të pushtimit brutal nga Rusia të së parës, dhe në Lindje të Mesme nga lufta e Izraelit fillimisht kundër Hamasit në rripin e Gazës, por duke u zgjeruar më vonë edhe kundër Hezbollahut dhe forcave tjera proxy të Iranit në regjion, si grupit rebel Huthi në Jemen. Madje për herë të parë në këtë vit Irani dhe Izrali u përfshin edhe në sulme të drejtpërdrejta ndërmjet vete, duke e bërë të mundshëm skenarin e një kaosi total më real se kurrë me parë.

Dhe sipas të gjasave këto konflikte do ta shoqërojnë botën edhe në vitin 2025, përkundër vullnetit të shprehur nga presidenti Trump, se me të marr detyrën në janar të vitit të ardhshëm, do t’i jap fund sidomos të parës. Mirëpo, as vatrat e tjera eruptive gjeopolitike nuk ishin më të qeta, pavarësisht se nuk shpërthyen në konflikte të armatosura. Tensionet në Lindje të Largët, për shkak të ambicieve hegjemonike të Kinës me theks të veçantë synimeve të saj armiqësore ndaj ishullit të Tajvanit, por edhe fërkimet e kohëpaskohshme me Filipinet e shtuan edhe më tej fragjiltetin e sigurisë globale. Ndërkohë Ballkanin Perëndimor e karakterizoi e njëjta vorbull e status-quos.

Po ashtu, këto kriza në një mënyrë apo tjetër, patën impakte edhe në proceset e brendshme elektorale, që ishin me të shpeshta se asnjë vit tjetër. Me të drejtë, 2024 është quajtur edhe si vit elektoral global. Ato filluan në ishullin e Tajvanit, për të vazhduar në Rusi, Indi, Britani të Madhe, ato për Paralmentin Evropian, Francë, që u provokuan nga presidenti i këtij vendi, pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet evropiane, Austri, Gjeorgji, Rumani etj. Në shumë prej tyre u konfirmua i njëjti pushtet, si në zgjedhjet farsë në Rusi, në disa të tjera ndodhën ndryshime të befasishme si në Britani, kurse në shumë demokraci të tjera evropiane forcat populiste të ekstremit të djathtë, skeptike ndaj lidhjeve trasn-atlantike dhe rendit liberal, njohën sukses të jashtëzakonshëm. Mirëpo, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, të cilat u fituan pas shumë betejave gjyqësore dhe dy tentim atentateve, nga kandidati i Partisë Republikane, Donald Trump, shënuan klimaksin e këtij procesi.

Rikthimi i tij në pushtet ka ngritur shumë pikëpyetje dhe dilema mbi fatin drejtimin që do të marrin zhvillimet planetare. Ai ka premtuar fillimin e një luftë tregtare më Kinën, duke u zotuar për imponimin e politikave proteksioniste me anë tarifave të larta ndaj mallrave me origjinë nga vendi aziatik. Por imune nuk do të jenë nga këto masa as ato që njihen si shtete partnere të SHBA-së. Donald Trump i ka kërcënuar si Kanadanë ashtu edhe Meksikën, dy nga fqinjët e SHBA-së me tarifa deri në 30 për qind. Po ashtu, edhe vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, një fat më i paqartë i pret edhe strukturat trans-atlantike, sikur se NATO-në, si për shkak të deklarimit të tij që nëse vendet anëtare të Aleancës nuk e përmbushin kriterin prej 2 për qind të GDP për mbrojtje nuk do ta gëzojnë mbrojtjen e SHBA-së në rast të ndonjë sulmi nga Putini, por edhe preferencave të tij trans-aksionale diplomatike për të vepruar më shumë mbi bazën e partneritetit bilateral se sa nëpërmjet mekanizmave multilateral.

Vitin 2024, me gjithë zigzaget që i ka prodhuar në aspektin demokratik, politik dhe ekonomik, pak para përfundimit e ka karakterizuar një ndryshim që askush nuk e priste. Pas më shumë se 50 vjet sundimi familjar, si dhe qëndrimi si person për 24 vjet në pushtet, regjimi i Bashar al-Asaad-it, u shemb brenda pak ditës. Ndonëse, rezistenca ndaj tij kishte filluar në vitin 2011, në kulmin Pranverës Arabe, e cila në fillim ishte paqësore, megjithatë, për shkak të përdorimit brutal të forcës nga ana e pushtetit kundër protestueseve, ajo degjeneroi në luftë civile, e cila rezultoi më më shumë se 500.000 viktima dhe mbi 14 milionë njerëz të zhvendosur, duke e shndërruar në njërën nga krizat me tragjike më humanitare për ndërgjegjen e njerëzimit. Ndërkohë, sipas shumë analistëve ndërkombëtar, megjithatë ky kolaps i çastit erdhi si pasojë e dobësimit ndërkombëtar të Rusisë për shkak të luftës ne Ukrainë dhe dëmtimit ekstrem të forcave mbështetëse rajonale iraniane për shkak të luftës me Izraelin. Një fakt ky që tregon për kufizimet e shteteve autokratike me ambicie revizioniste gjeopolitike.

Ky vit po përfundon me kalimin në amshim të ish-presidentit amerikan Jimmy Carter, i njohur ky si për goditjen që mori nga kriza e pengjeve amerikane të marra nga studentet iranianë në ambasadën e SHBA-së në Tehran, por edhe për traktin që e shtroi rrugën e adiministrimit të Kanalit të Panamasë nga ky shtet, akt ndaj të cilit kohën fundit presidenti Trump, ka shprehur rezerva si i padrejtë ndaj SHBA-vë, si dhe fillimin e negociatave të paqes në vitin 1978, në Camp David duke i bërë bashkë kryeministrin e Izraelit Menachem Begin, dhe presidentin e Egjiptit, që solli pajtimin diplomatik ndërmjet këtyre dy vendeve që nga ajo kohë, për çka edhe u dekorua me çmimin Nobel për Paqe. /TV Arbëria