Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kurti i sulmoi, kryesuesi i KPK-së: E mbështesim plotësisht Prokurorinë Speciale, kryeprokurori Isufaj do t’i përgjigjet kryeministrit

Kurti i sulmoi, kryesuesi i KPK-së: E mbështesim plotësisht Prokurorinë Speciale, kryeprokurori Isufaj do t’i përgjigjet kryeministrit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj shprehu mbështetjen e plotë për Prokurorinë Speciale ndërsa tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, kur iu përgjigj një pyetjeje lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili e sulmoi këtë organ të akuzës, duke i quajtur prokurorët “lepuj të shpejtë” kur bëhet fjalë për ndjekjen ndaj njerëzve të pushtetit aktual.

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit, nuk i komentojmë deklaratat politike”, tha fillimisht Hajdaraj.

“Diçka mund të them. Ne kemi reaguar shpesh ndaj sulmeve që na janë bërë nga këto deklarata politike. Nuk kam çka shtoj”, tha tutje kreu i KPK-së, ndërsa shtoi se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale do të përgjigjet “më në detaje” lidhur me deklaratat e kryeministrit.

“Këshilli Prokurorial ia jep mbështetjen e plotë Prokurorisë Speciale në zbatimin e mandatit kushtetues dhe ligjor që ka dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kjo është e tëra çfarë mund të them sa i përket kësaj pyetjeje”, tha Hajdaraj.

Kurti nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në këtë organ të akuzës. Prokurorët, i ka ftuar ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri.

“Unë guxoj t’u them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, tha kryeministri mbrëmë në podcastin “Rrjedha” në KTV.