Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Letërsi > Porosia e kullës”, rrëfim mahnitës që të nxitë të besosh te vetja!

Porosia e kullës”, rrëfim mahnitës që të nxitë të besosh te vetja!

Nga: Mark Pashku – Lucgjonaj

Libri me kujtime i Dr. Pashko Camaj me titull “Porosia e kullës” është një rrëfim në vetën e parë, që të tërheq ta lexosh.

Stili i tij është i dashur, me fjali paralajmëruese e deskriptive dhe i mbushur me rrëfime që përshkruajnë përjetime të autorit, të gërshetuara bukur në mënyrë që lexuesi të mos mërzitet gjatë leximit.

Është një rrëfim i kujdesshëm, i ndërtuar mbi ato që Pashku ka zgjedhur të rrëfejë, dhe njëherazi emocionues, i dhimbshëm, me një filozofi të hollë, por mbi të gjitha, real. Përjetimet e Pashku-t, disa prej të cilave lidhen me familjen, shpesh janë aq të forta sa nuk mund të mos derdhësh lot, dhe këtu qëndron bukuria e librit.

Rrëfimet e tij përbëjnë një zjarr të brendshëm që zien përherë në mendjen e autorit. Baba, nëna, vendlindja dhe mbi të gjitha, largimi nga atdheu, janë tema qendrore. Figura e prindit te Pashku, si mërgimtar, është një forcë shtytëse, një motor dhe një ndërgjegje e fuqishme. Për të, vdekja e prindërve ishte jo vetëm dhimbje, por mundësia më reale për t’i mbajtur afër vetes në tokën e premtuar, “plotësisht për vete.” Andaj, ky libër është një gravurë e ëndrrave të Pashkut, i pengjeve, skalitjeve të shpirtit dhe melodia e vetmisë së tij.

Teksa lexon librin, sapo fillon të mendosh se autori anon nga dashuria për babain, ai me një fjali të vetme arrin të baraspeshojë dashurinë për nënën dhe babain.
Librin e kam lexuar ngadalë dhe dy herë. Mundohesha ta ndaja racionin e leximit për të zgjatur kënaqësinë që merrja. Në fakt, ky është edhe qëllimi i artit: të na kënaqë në shumë dimensione. Mua ky libër më ka kënaqur dhe ndihem më i pasur që e kam lexuar.

Historia se si Pashku e fillon ëndrrën amerikane është histori e shumë shqiptarëve, sidomos e malësorëve. Pashku është një nga ata malësorë që hyn në Amerikë në bagazhin e një makine. Jo rastësisht, ky libër është shkruar në gjuhën angleze, e cila tashmë është bërë gjuha e parë e autorit, sepse është gjuha nëpërmjet së cilës ai ka realizuar ëndrrën e tij. Në anglisht, libri titullohet “Dreaming from the Trunk of an American Car”, shqipëruar mjeshtërisht nga Nikollë Camaj.

Teksa e lexoja librin, emocionet më kapluan shumë herë, veçanërisht te pjesa kur Pashku me motrën e tij gjendeshin në bagazhin e veturës për të hyrë në tokën e premtuar.

Ishin kujtimet e mia ato që më rrëmbyen dhe më kthyen pas, plot njëzet e katër vjet. Në shtëpinë tonë prisnim telefonatën e vëllait tim, Viktorit. Nuk e dinim nëse ishte më mirë të kalonte kufirin apo të kthehej në shtëpi, ku po e kërkonte Policia Ushtarake.

Pasi ra zilja, nëna hapi telefonin në interfon, dhe më kujtohen si sot fjalët e dajës Prël: “Viktori asht me mua, po pse s’më keni kallxua se vjen! Na, Viktorin e tieja zanin!” – tha daja.

Nga zëri dallohej shqetësimi te Viktori, por ai, në ato pak minuta, na rrëfeu: “Kemi hyrë nën karrocerinë e një kamioni të madh që transportonte zhavorr. Pasi u vendosëm ashtu si na porositën, shoferi e ktheu rimorkën në vend. Ne kishim vetëm disa vrima për të marrë frymë, nga të cilat depërtonte pak ajër dhe dritë.”
Viktori kishte hyrë nga Kanadaja, ndërsa Pashku nga Meksika, por të dy, si shtëpi të parë, kishin pasur Miçiganin. Sot të dy jetojnë në Nju Jork.
Kjo paralele Pashko – Viktor është një paralele që mund të bëhet me shumë familje nga Malësia. Por Pashko Camaj e ndjek ëndrrën e tij deri në fund, duke u kthyer në frymëzim për të gjithë të tjerët. Ai është një shembull që dëshmon se mund t’ia dalësh vetëm nëse beson dhe nuk heq dorë nga “Premtimi” që i ke bërë vetes.
Për këdo që ka dyshim se cilin libër të lexojë në këto ditë dimri, rekomandoj ta lexojë “Porosinë e kullës” të Pashko Camaj-t. Do të kënaqet dhe do të mbushet me vullnet e vetëbesim.