Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dehumanizimi animal i oponentëve si armë politike e kryeministrit Kurti

Dehumanizimi animal i oponentëve si armë politike e kryeministrit Kurti

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti është i njohur për gjuhën e tij politike dehumanizuese ndaj atyre që i targeton si oponentë të tij. Zakonisht këta të fundit i portretizon me tipare nga mbretëria animale. Si qenie që nuk e kanë arritur nivelin e dinjitetit njerëzor. Këto sjellje i ka inauguruar që nga fillimi i karrierës së tij. Të gjithëve na kujtohet se si pjesëtarët e ekipit të negociatave të Vjenës krahasoheshin me gomarë në sheshet e Prishtinës.

Pra këta të fundit janë krijesa që ju mungon aksioni politik, ngase kushtëzohen nga domosdoshmëria biologjike. Qëllimi i këtyre shfaqjeve ishte që të zhveshën nga dinjiteti human. Dhe në fund të nënshtrohen ndaj tij. Shembull mund të merret njëri nga këshilltaret aktual të tij, Veton Surroi. Këtij të fundit, dikur Albin Kurti i servonte në meny si ushqim sanë(bar i thatë).

Kurse gjatë kohës sa koalicioni VLAN ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese se kush ka të drejtë t’i prijë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e atij viti, anëtarët e këtij institucioni po ashtu ekspozoheshin si kuaj, me theks të veçantë kryetari Enver Hasani, që Albin Kurti madje ia “ngatërronte” edhe mbiemrin atëbotë si “Enver Sahani”. Pra edhe në këtë rast qëllimi ishte që të diskreditohej publikisht çdo vendim juridik i këtij institucioni, si diçka që nuk derivon nga parimet dhe normat kushtetuese, por i paracaktuar nga ata që e mbanin kamxhikun mbi anëtarët e këtij trupi juridik.

Këtë model , si kryeministri Kurti,por ashtu edhe anëtarë të partisë në pushtet janë duke e amplikfuar më të madhe edhe sot e kësaj ditë. Par pak dite, ministri i Financave, Hekuran Murati, e kishte konsideruar opozitën si të ngjashme me ushujzat, krijesa që mpin “trupin e organizmit deri sa ushqehen me gjakun e tij”. Pra sipas tij edhe opozita në “Kosovë për 20 vite ia ka thithur gjakun e Kosovës për t’u ushqyer për vete”. Në fund ato do të largohen një nga një ku “mund të shkaktojë pak dhimbje në fillim, e mund të duket se po shkakton edhe gjakderdhje të përkohshme madje, mirëpo kjo është e vetmja mënyrë se si të kthjellet trupi”.

Ndërkohë, dje një shfaqjeje teatrale televizive, Albin Kurti u shpreh me të njëjtën metaforë ndaj prokurorëve që janë duke ju marr me hetimin skandalit të rezervave shtetërore. Këta të fundit i cilësoi herë si “kërmij” e herë si “lepuj”. Kjo metamorfozë e tyre, sipas të parit të Qeverisë, kushtëzohet varësisht nga interesat që i mbrojnë. Sepse as në këtë rast të parët nuk veprojnë ndonjë imperativ juridik. Pra, për Kurtin, “kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë”, ka shtuar ndër të tjera shefi i ekzekutivit.

Kam shkruar edhe në të kaluarën, mbi rreziqet që i imponon kjo logjikë. Sepse ajo, derivon kryesisht nga universi totalitar. Në fund të fundit, as Hitleri nuk kishte mundur ta fillonte procesin e vrasjes masive të komunitetit hebre, pa dehumanizimin fillestar të tyre. Vrasjen morale dhe degradimin juridik si subspecie njerëzore. Krijesa që e kanë paralizuar trupin biologjik të kombit gjerman. Prandaj, përndjekja dhe eliminimi i tyre nuk është asgjë tjetër, pos një hallkë e domosdoshme në restaurimin e shëndetësor të organizmit të infektuar. Në këtë linjë po ashtu ishte ndërtuar edhe arsyetimi komunist, kundër pronarëve te mjeteve të prodhimit, të cilit për shekuj ia kishin thithur gjakun klasës punëtore, duke u ushqyer për vete me mundin e tyre. Tashmë ligjet biologjike dhe historike e kishin shpallur verdiktin final të racës dhe klasës së destinuar për zhdukje.

Kuptohet, nëse sot për shkak të rrethanave ndërkombëtare nuk mund të marr kësi përmasa konkrete kjo mendësi, megjithatë qëllimi i mbetet shkatërrimi dhe devalvimi i çdo instance tjetër juridike, politike dhe morale, që nuk është konform të vërtetës së pushtetit. Thjesht degradimi ligjor i një komuniteti politik. Dhe shndërrimi i këtij te fundit vetëm në turmë dhe masë që i mungon çdo potencial tjetër politik, pos asaj që e ofron Lëvizja e Albin Kurtit. Pra krijimi atij realiteti sikur se rasti i këshilltarit të sipër cekur të tij Veton Surroi. Ku fitohet subordinimi familjar pas degradimit publik. /TV Arbëria