Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e rrugës Mushtishtë-Brezovicë, Durmishi e mohon se kalon afër livadheve të babait të tij

Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e rrugës Mushtishtë-Brezovicë, Durmishi e mohon se kalon afër livadheve të babait të tij

Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e rrugës rajonale R118 Mushtishtë-Brezovicë, e cila kalon në afërsi të një prone prej tre hektarësh të babait të zëvendësministrit Hysen Durmishi.

Kontrata për ndërtimin e rrugës ka hyrë në fuqi të hënën e 30 janarit, bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës të publikuar në platformën e prokurimit publik, e-prokurimi.

Fitues i tenderit në vlerë saktësisht katër milionë euro, është përzgjedhur konsorciumi privat “FAMIS CO-HC SH.A” dhe “4 A-M”.

Në vitin 2021, Paparaci kishte raportuar se Ilaz Durmishi, babai i zëvendësministrit Hysen Durmishi, është pronar i një parcele prej 3 hektarësh tokë në afërsi të trasesë së rrugës Mushtishtë-Brezovicë.

Parcela ndodhet mes Mushitishtit të Suharekës dhe Brezovicës, në zonën e Dollcit.

Kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje para dhjetë vitesh.

Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë ishte bartur në emër të një pronari të vetëm. Pronarët e vërtetë kishin zgjedhur prona të vendoset në emër të Ilaz Durmishit, babait të Hysen Durmishit, për shkak të prejardhjes së tij nga ajo zonë.

Hysen Durmishi ka mohuar t’i ketë dhënë prioritet punimeve në projektin rrugor Mushtisht-Brezovicë, i cili shkon përskaj pronës së babait të tij.

Në një deklarim pas raportimit të Paparacit në kohën e publikimit të shkrtimit, zëvendësministri i Infrastrukturës kishte thënë se projekti i rrugës që lidh Mushtishtin me Brezovicën “nuk lidhet fare me pronat” të cilat janë në emër të babait të tij.

Zëvëndësi i ministrit Liburn Aliu ka nënkuptuar se për parcelën prej tre hektarëve tokë që ndodhet në afërsi të aksit rrugor Mushtisht-Brezovicë dihet publikisht pronësia në emër të babait të tij.

“Ato livadhe janë blerë në vitin 2011, pra para 10 viteve dhe i kam të deklaruara në deklarimin e pasurisë, ashtu siç janë, pra pronë të babait tim”, vijon Durmishi.

Durmishi, e kishte cilësuar me “interes të veçantë” projektin.

Në tetor të vitit 2024, në një intervistë me Leart Hoxhën, autorin e emisionit Context në ATV, derisa komentoi të njëjtën çështje Durmishi tha se rruga është larg livadheve të familjes së tij për një kilometër e gjysmë apo dy kilometra.

“Jo, nuk kalon nëpër pronat e mia. Kjo është rrugë regjionale, nuk është rrugë lokale”, tha ai. “Kjo rrugë nuk është rrugë e fshatit tim, pra është rrugë regjionale që e lidh Brezovicën me Suharekën. Ne e kemi filluar procedurën e prokurimit, është larg atyre livadhe që i kanë përmendur më shumë se një kilometër e gjysmë, dy kilometra, rruga është larg atyre livadheve që janë të familjes time”.

“A që i bjen që rruga nuk kalon kah prona juaj, por afër pronës tuaj”, u pyet Durmishi nga intervistuesi Hoxha.

“Absolutisht jo, as afër nuk është..”, u përgjigj zëvendësministri, duke e konsideruar të largët distancën prej, siç tha ai, “një kilometër e gjysmë, dy kilometra”.