Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shkëlqimi dhe rënia e Lali Erit

Shkëlqimi dhe rënia e Lali Erit

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryetari i Tiranës Erion Veliaj, apo i njohur ndryshe si Lali Eri, për një kohë të gjatë ishte porterizuar si modeli i politikanit të së ardhmes. Fitues i disa palë zgjedhje në kryeqytet, dukej se nuk kishte asnjë pengesë për të, që pas shpenzimit të Edi Ramës, të ulej edhe në karrigen e të parit të socialisteve, e pse jo edhe të shefit të ardhshëm të Qeverisë.

Me një strategji të përsosur të “piarit” Erion Veliaj, ia kishte dalur ta pudroste tej mase imazhin dhe kultin e tij prej lideri të duhur. Madje, fal rrugës së trasuar nga ai më në fund politika shqiptare do të gjente veten të divorcohej nga trashëgimia e antagonizmave sfilitëse që e mbanin peng vendin. Pra, i pari i Tiranës, shfaqej si ilaçi dhe shpëtimtari i anomalive tradicionale në saje të pragmatizmit, si dhe shkathtësive teknike e administrative të tij. Çdo gjë mori pamjen e një idile rozë. Mediokritetin dhe rolin prej karikature e kishte maskuar nga strategjia e depeolitizimit të kësaj sfere. Ku më politika nuk është asgjë tjetër, pos menaxhim i interesave ditore dhe frymëzim sipas sloganeve të mendimit pozitiv.

Kështu, kushdo që kishte ambicie dhe synime për të fituar zgjedhjet në kryeqytetet tjera të banuara më shqiptarë, mjaftonte imtimi i këtij “miti post-modern”. Sepse suksesi i tij, e ofronte çelësin magjik drejt pushtetit. Shembull tipik i kësaj përçapje mbetet synimi i ish-kandidatit nga Partia Demokratike e Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili. Në zgjedhjet e fundit komunale, ky i fundit i kishte bërë konak të parit në shtëpinë e tij, me shpresën për të fituar diçka nga magjia e të parit, e për t’u identifikuar me të. Pra edhe Prishtinës i duhej një klonim politik i Erion Velijat. Në këtë drejtim kryetari i Tiranës kishte filluar ta rivalizonte edhe Albin Kurtin për t’u shndërruar në model “pan-shqiptar”, vetëm se duke përdoruar referenca “urbane post-nacionaliste”.

Mirëpo, për ta kapur më rrokshëm se çfarë fenomeni politik ka përfaqësuar Lali Eri e dëshmojnë hetimet e fundit të SPAK-ut. Ai u detyrua që të futet që kokulur në dyert e institucionit me të respektuar në Shqipëri në ndarje të drejtësisë, për dyshimet për korrupsion. Sipas komunikatës së këtij mekanizmi juridik, “deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur n konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të vepërs penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rrem i pasurive, interesave privat të personave të zgjedhur dhe npunsve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal”.

Sidoqoftë, ky proces tashmë nuk shënon vetëm një disfatë personale për të, por paraqet edhe rënien e pashmangshme të një shkëlqimi të rrejshëm publik, ku në saje të manipulimit, spitullimit dhe mashtrimit, tentohet të mbahen të bllokuara potencialet politike për ndryshim të mirëfilltë shoqëror./tvarbëria/